Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta kuptojë që nuk mundet që në njërën anë ta shtyejë përpara ligje, strategji, kontrata miliardëshe e vendime milionëshe që e bëjnë qymyrin sinonim të së ardhmes sonë, e në anën tjetër të sillet kinse do ta bëjë mbrojtjen e mjedisit prioritet të saj. Qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se po protestojnë para një Qeverie që ka nënshkruar ndërtimin e një tymtari të ri në Obiliq pa ekzistuar asnjë vlerësim i ndikimit në mjedis apo në shëndetin tonë.

Sidoqoftë, ne besojmë që është koha e fundit që institucionet e Kosovës të jenë të hapura ndaj thirrjeve të instituteve kërkimore dhe institucioneve të tjera vendore e ndërkombëtare dhe t’i qasen seriozisht problemit. Ndotja e ajrit është pasojë e numrit të madh të politikave të gabuara, që duhet të ndryshojnë urgjentisht.

Ja dhjetë masat që INDEP propozon të ndërmerren nëse Qeveria vërtetë është e shqetësuar me gjendjen:

  1. Publikimi i menjëhershëm, i plotë dhe i vazhdueshëm i të dhënave për ndotjen. Qeveria e Kosovës përmes Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit po pretendon se kanë më shumë pajisje matëse, më shumë parametra që masin dhe më shumë të dhëna mbi nivelet e ndotjes, por publikimi i tyre lë shumë për të dëshiruar! Transparenca për shëndetin tonë nuk është alternativë! Ajo është obligim ligjor dhe kushtetues dhe duhet marrë në përgjegjësi kushdo që e ka privuar atë deri më tani. Nivelet e ndotjes duhet të publikohen në kohë reale dhe jo një herë në vit diku në qoshe të një uebsajti edhe ashtu të pa promovuar!
  2. Krijimi i menjëhershëm i Ekofondit i cili do të promovonte masat efiçiente dhe do t’u ndihmonte qytetarëve të investojnë në shtëpitë e tyre. Një pjesë e madhe e shtëpive në Kosovë kanë mungesë të termoizolimit adekuat dhe një pjesë e madhe e pajisjeve të tyre është joefiçiente. Edhe nëse Qeveria thotë se për këtë konstatim nuk ka të dhëna të mjaftueshme, mos pasja e të dhënave nga ana e Qeverisë është një problem në vetëvete që duhet adresuar menjëherë. Së paku prej vitit 2012 INDEP insiston në krijimin e një fondi të tillë.
  3. Taksë ekologjike të dedikuar dhe të kategorizuar sipas ndikimit mjedisor. Taksa ekologjike nuk trajtohet si e dedikuar. Me një fjalë, ne paguajmë në emër të mbrojtjes së mjedisit kur e regjistrojmë veturën, por ajo shumë shkon në buxhetin total dhe pastaj shpërndahet për kushedi sa zëvendësministra e kushedi çfarë rrogash! Kjo praktikë është praktikisht vjedhje ndaj qytetarëve dhe INDEP përmes analizës “Taksat e dedikura në Kosovë, çka po marrim në këmbim të pagesës” kishte alarmuar mbi këtë problem. Në të njëjtën kohë, ne kemi kërkuar kategorizim të pagesës së kësaj takse. Si është e mundur që të njëjtën shumë e paguajnë një veturë që kalon mbi 20 mijë kilometra në vit me një veturë që kalon jo më shumë se 8 mijë. Kategorizimi i taksës duhet të bëhet edhe në bazë të vjetërsisë, llojit të karburantit, motorit etj.
  4. Monitorim transparent dhe i vazhdueshëm i filtrave të termocentraleve. Qytetarët duhet të informohen dhe vetëdijësohen në kohë reale mbi nivelet e emetimit të termocentraleve, mbi gjendjen e deponive dhe rreziqet për ndotje në kohë të ndryshme gjatë vitit. Informimi mbi nivelet e emetimit dhe mbi punën e filtrave është i domosdoshëm për t’u mbrojtur dhe për të evituar çfarëdo dyshimi se dikush po ndalon filtrat për më shumë prodhim.
  5. Taksa më të mëdha për pajisje joefiçiente. Qeveria e Kosovës duhet t’i ndërmarrë të gjitha masat që pajisjet efiçiente në treg të jenë konkurruese me ato joefiçiente. Kjo do të thotë që krahas lehtësimeve fiskale dhe në pagesa të pajisjeve efiçiente, të bëhet e kundërta për ato joefiçiente. Në tregun Kosovar duhet të eliminohen poçat joefiçientë! Në të njëjtën kohë, një skemë e re e taksave e përshkallzuar në bazë të nivelit të konsumit të energjisë elektrike të pajisjeve është e domosdoshme.
  6. Një program pesë vjeçar për ndalimin e djegjes së qymyrit në shtëpi! Ndalimi i qymyrit si lëndë djegëse nëpër ndërtesat publike, industriale dhe rezidenciale duhet të jetë prioritet afatmesëm i Qeverisë së Kosovës. Vetëm pas themelimit dhe funksionalizimit të Ekofondit, Qeveria duhet të shpallë një program pesëvjeçar të ndalimit të çdo sistemi të ngrohjes me qymyr në Republikën e Kosovës. Masa të kombinuara të efiçiencës, të sistemeve të ngrohjes qëndrore, të ndalimit të nxjerrjes ilegale të qymyrit dhe të programeve të krijimit të vendeve të gjelbra të punës duhet të bashkërendohen në mënyrë që politika pesë vjeçare të ketë kuptim.
  7. Program kombëtar për mbjelljen e drunjëve! Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Mjedisit dhe Bashkëpunimit Hapësinor në bashkëpunim me komunat duhet të shpallin një program të përbashkët të shtimit të zonave të gjelbra sidomos në zona urbane. Përzgjedhja e lokacioneve dhe llojeve të drunjëve duhet t’i shërbej krijimit të korridoreve për pastrim të ajrit.
  8. Reformimi i transportit publik në mbarë Kosovën. Dekurajimi i përdorimit të veturave duhet të bëhet duke u ofruar qytetarëve mënyra alternative kualitative të transportit. Kjo duhet të përfshijë jo vetëm transportin brenda qyteteve por edhe ndër-urban. Një pjesë e madhe e ngarkesës së veturave në kryeqytet vjen nga veturat e qyteteve të tjera. Duhet reformuar dhe përmirësuar transporti urban dhe pastaj të inkurajohet ardhja në Prishtinë me transport të organizuar dhe të dekurajohen veturat personale.
  9. Shtrirja e zonave mjedisore nëpër të gjitha qytetet e Kosovës ku kalimi me makina është i ndaluar. Së paku të gjitha qendrat e mëdha të Kosovës duhet të kenë zona mjedisore në qytet ku hyrja me veturë është e ndaluar. Kjo duhet të jetë një masë më afatgjate sepse jo vetëm që mbrohet mjedisi por edhe i hapet rrugë përmirësimit të transportit publik i cili do të jetë ekonomikisht i qëndrueshëm.
  10. Përfundimisht, anulimi i kontratës për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” nga qymyri dhe investimet në burimet e ripërtrishme. Qeveria e Kosovës duhet të tregojë vullnet për ta transformuar sistemin energjetik në hap me Evropën dhe jo ta vëjë qymyrin si bazë të çfarëdo zhvillimi energjetik në të ardhmen. Ndërtimi i edhe një termocentrali me qymyr rrënon konkurrencën në treg, shuan shpresat për përmirësim të mjedisit dhe shëndetit dhe minon të ardhmen evropiane të Kosovës.

 

Qeveria e Republikës së Kosovës bashkë me institucionet e tjera në vend duhet të ulen dhe seriozisht ta trajtojnë problemin e ndotjes së ajrit. Politikat ad-hoc e të pjesshme nuk do të prodhojnë rezultat të kërkuar. Fatkeqsisht, shumica prej këtyre masave janë politika që me vite i kemi kërkuar. Është koha e fundit kur interesi publik duhet vënë mbi agjendat politike, partiake e personale. Kosova është vendi i të gjithëve që jetojnë dhe të gjithëve që ende s’kanë lindur. Të drejtat mjedisore janë të drejta njerëzore dhe realizimi i tyre është i pa alternativë.