Grupi Punues për Projektligjin e ri për Miniera dhe Minerale, pjesë e të cilit është INDEP, mbajti punëtori dy ditore

Instituti për Politika Zhvillimore u mblodh për dy ditë bashkë me pjesën tjetër të grupit punues për Projektligjin për Miniera dhe Minerale, për t’i diskutuar në hollësi çështjet që duhet të adresohen në këtë Ligj. Në vazhdën e bashkëpunimit të ngushtë me Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri dhe Infrastrukturë, tashmë disa vjeçar, INDEP-i ka qenë prej fillimit pjesë e grupit punues të këtij projektligji. Instituti vazhdimisht ka avokuar që kufizimet e kornizës së mëparshme ligjore të përmirësohen.

Në këtë punëtori u diskutua specifikisht për masat ligjore që duhet të përfshihen për mbrojtjen e ambientit si balancë krahas zhvillimit ekonomik si p.sh kushtet për aktivitete minerare, distancat nga vendbanimet, lumenjtë dhe objektet e tjera. Po ashtu, u adresuan edhe masat që duhet të kihen parasysh për rregullimin e tregut, përkatësisht rregullatorin e këtij sektori; përzgjedhja e anëtarëve të bordit përkatës, raportimi, llogaridhënia dhe përgjegjësitë e këtij rregullatori.

Kjo punëtori është pjesë e projektit “Promovimi dhe inkurajimi i bashkëpunimit në mes të hisedarësve si mjet për instalimin e praktikës demokratike në vendimmarrje” që financohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – Kosovar Civil Society Foundation – KCSF nga skema Promovimi i Shoqërisë Civile (DSP).