INDEP mbajti takimin përmbyllës të platformës INVESTOMETRI me qytetarët e Prishtinës

Instituti për Politika Zhvillimore me datë 27 prill 2017, mbajti takim me qytetarët e komunës së Prishtinës në kuadër të programit për qeverisje demokratike dhe projektit “INVESTOMETRI – Më shumë transparencë dhe llogaridhënie ndaj shpenzimeve publikë për investime kapitale në nivelin lokal”. Takimi kishte për qëllim përmbylljen e vitit të parë të implementimit të projektit me komunën e Prishtinës dhe informimin e qytetarëve me investimet kapitale të komunës për vitin 2017 dhe mundësive të reja që sjellë platforma investometri.com për t’u informuar rreth investimeve kapitale dhe për t’u bërë pjesë e debatit.

Në panelin diskutues përveç përfaqësuesve të Institutit INDEP ishte edhe z. Hysen Durmishi, Drejtor në Drejtorinë për Investime Kapitale të Komunës së Prishtinës. Përfaqësues të bashkësive lokale dhe qytetarë të tjerë morën pjesë në diskutimin e hapur të këtij takimi. Në fjalën e tij hyrëse z. Durmishi informoi të pranishmit në lidhje me investimet kapitale në komunë për vitin 2017, sukseset dhe sfidat që Drejtoria e Infrastrukturës ka në realizimin e investimeve kapitale. “E përshëndes platformën investometri.com dhe punën që INDEP ka bërë sepse ky projekt do të ndikojë që qytetarët të jenë më të informuar rreth investimeve kapitale”, tha ndër të tjera z. Durmishi duke inkurajuar qytetarët që të përdorin platformën e zhvilluar nga INDEP.

Përfaqësues të INDEP prezantuan platformën investometri.com duke inkurajuar qytetarët të përdorin përparësitë të sjellë platforma në mënyrë që të informohen më shumë rreth investimeve kapitale në komunitetin e tyre dhe të jenë pjesë e presionit pozitiv ndaj autoriteteve komunale. Ishte konstatim i përbashkët që INVESTOMETRI ndikon në shtimin e transparencës në qeverisjen lokale dhe në nxitjen e qytetarisë aktive si vlera demokratike.