INDEP mban takim me qytetarët e Fushë Kosovës

Instituti për Politika Zhvillimore mbajti takim me qytetarët e komunës së Fushë Kosovës në kuadër të programit për qeverisje demokratike dhe projektit “INVESTOMETRI – Më shumë transparencë dhe llogaridhënie ndaj shpenzimeve publikë për investime kapitale në nivelin lokal”. Takimi kishte për qëllim informimin e qytetarëve me investimet kapitale të komunës për vitin 2017 dhe mundësive të reja që sjellë platforma investometri.com për t’u informuar rreth investimeve kapitale dhe për t’u bërë pjesë e debatit.

Në panelin diskutues përveç përfaqësuesit të Institutit INDEP ishte edhe z. Bardhyl Gojçiçi, shef i zyrës së planifikimit të projekteve. Qytetarë të shumtë të komunës, nga të cilët shumica të rinjë morën pjesë në diskutimin e hapur të këtij takimi. Në fjalën e tij hyrëse z. Gojçiçi informoi të pranishmit në lidhje me investimet kapitale në komunë për vitin 2017 dhe rolin që mund të luajnë qytetarët dhe rinia në avancimin e nevojave të tyre. “Pjesa më e madhe e investimeve përfshijnë ndërtimin e rrugëve për shkak se për to kemi më shumë kërkesa”, tha ndër të tjera z. Gojçiçi duke inkurajuar qytetarët që të përdorin platformën e zhvilluar nga INDEP.

Përfaqësues të INDEP prezantuan platformën investometri.com duke inkurajuar qytetarët të përdorin përparësitë të sjellë platforma në mënyrë që të informohen më shumë rreth investimeve kapitale në komunitetin e tyre dhe të jenë pjesë e presionit pozitiv ndaj autoriteteve komunale. Ishte konstatim i përbashkët që INVESTOMETRI ndikon në shtimin e transparencës në qeverisjen lokale dhe në nxitjen e qytetarisë aktive si vlera demokratike.