INDEP merr pjesë në konferencën e dytë rajonale të organizuar nga Shkolla për Aktivizëm Ekologjik në Podgoricë

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) mori pjesë në konferencën e dytë rajonale të organizuar nga Shkolla për Aktivizëm Ekologjik në Podgoricë.

Konferenca u mbështet nga OSCE dhe Ministria e Turizmit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Mal të Zi. Tema e konferencës ishte ‘Roli i shoqërisë civile (mediet, OJQ-të, partitë politike) në përpilimin dhe implementimin e politikave publike në fushën e ndërrimeve klimatike nga perspektiva e Kroacisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Serbisë, Shqipërisë dhe Kosovës’. Me këtë rast, përfaqësuesit e shteteve të rajonit shkëmbyen eksperiencat e tyre individuale rreth punës që bëjnë në vendet e tyre organizatat dhe mediet që ata përfaqësojnë.

Në emër të INDEP si dhe Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qendrueshëm – KOSID, Learta Hollaj prezantoi rreth rolit që shoqëria civile po luan në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë si dhe aktivitetet e ndërmarra deri më tani në këtë drejtim.

Theks i veçantë gjatë konferencës është vënë në nevojën për bashkëpunim rajonal si dhe është kërkuar nga të gjithë që të punohet drejt unifikimit dhe koordinimit të veprimeve të shoqërisë civile të vendeve të rajonit. Në muajt në vijim pritet që pjesëmarrësit e konferencës të marrin iniciativë që vendet e rajonit të punojnë drejt asaj që të paraqiten me një qëndrim të përbashkët në konferencën e Kombeve të Bashkuara mbi ndryshimet klimatike që do të mbahet në Paris në vitin 2015.