INDEP për herë të dytë e përfaqësoi Kosovën në Forumin Ekonomik Botëror XXVII

Kjo pjesëmarrje shënoi edhe një sukses të radhës të INDEP në arenën ndërkombëtare, duke vazhduar kështu ta forcojmë edhe më shumë bashkëpunimin dhe rrjetëimin me akterë të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë me të njëjtin mision.

Drejtori Ekzekutiv i INDEP-it, Burim Ejupi, mori pjesë në Forumin Ekonomik në Poloni. Në këtë  ngjarje, z. Ejupi e ndau eksperiencën dhe njohuritë e Institutit në diskutimin “European-Norwegian Cooperation in the Field of Energy Security – Strategy Games”. Ky diskutim kishte për qëllim t’i verifikojë modelet e sigurisë së energjisë në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, si dhe të Norvegjisë. Për më shumë, ky panel synoi t’i ngërthejë ndryshimet cilësore që mund të kenë efekt në proceset e vendimmarrjes, përkatësisht në politikat e energjisë nëpër vende dhe ndërmarrje ; ndryshime këto që mund të vijnë prej mjedisit të brendshëm dhe ndërkombëtar. Në këtë panel, Z.Ejupi ishte së bashku me figura të shquara të organizatave joqeveritare, kompanive dhe qendrave për studime të lokalizuara në Poloni, Ukrainë, Kroaci, Gjermani dhe Moldovë. Për më shumë, ky forum u bë vendtakim i kryeministrave, sekretarëve të shtetit, ministrave e deputetëve të vendeve pjesëmarrëse, pjesëmarrja e të cilëve edhe më tutje e dëshmoi rëndësinë e këtij forumi.

Ky forum përbën konferencën më të madhe në Europën Qendrore dhe Lindore. Në çdo fillim shtatori, ky forum mbledh rreth 3000 pjesëmarrës. Pjesëmarrësit në këtë forum variojnë prej liderëve politikë, ekonomikë e socialë deri ekspertët e fushave të ndryshme. Sesionet që përfshinë mbi 180 panele, ligjërata të personaliteteve të sferës publike, workshope dhe tryeza të rrumbullakta u mbuluan nga 500 gazetarë.

Kjo konferencë përfshiu 15 forume dhe tema bosht, disa ndër të cilat ishin: Energy Forum, Innovation Forum, Regions Forum, State and Reforms, Investments and Development, Media and Information Security, etj. Forumi Ekonomik, i 27-ti me radhë, është pikëtakim i 60 shteteve nga Europa, Azia dhe Amerika dhe u mbajt prej 7 deri me 9 shtator.