Hulumtuesja e lartë e Institutit, Learta Hollaj, po merr pjesë në takimin e radhës që po mbahet mes palëve të interesit të iniciativës Central and South-Eastern Energy Connectivity (CESEC) që po mbahet në Bruksel ku po marrin pjesë përfaqësues të të gjitha vendeve të rajonit. Mbledhja po mbahet pas zgjerimit të bashkëpunimit rajonal të CESEC në fusha të reja, si energjia elektrike, burimet e ripërtëritshme dhe efiçienca e energjisë që erdhi si rezultat i takimit që kishin në Bukuresht ministrat nga rajoni në shtator të këtij vitit. Takimi i shtatorit u konkludua me një Memorandum Mirëkuptimi që e plotëson atë ekzistues për gazin. Qëllimi i përgjithshëm i kësaj shtrirjeje është të orientojë kalimin në një të ardhme të sigurt të energjisë përmes bashkëpunimit të zgjeruar rajonal.

Përmes këtij takimi, u shkëmbyen ide midis pjesëmarrësve për ta gjetur mënyrën e duhur për t’u përfshirë në bashkëpunimin rajonal të CESEC. Po ashtu, në këtë takim Komisioni i ka prezantuar objektivat dhe veprimet e CESEC në të gjitha fushat e bashkëpunimit.