INDEP pjesë e Konferencës së Danubit për Qeverisje

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), po merr pjesë në Konferencën e Danubit për Qeverisje organizuar nga Qendra për Hulumtim të Administratës Publike (KDZ) si pjesë e projektit BACID – Rritja e kapaciteteve për vendet e Ballkanit perëndimor dhe Republikës së Moldavisë.

Në këtë konferencë, në cilësinë e folësit në panelin për Qeverisje të Hapur dhe Transparencë, Dardan Abazi, hulumtues në INDEP, paraqiti përvojat e Institutit në promovimin e qeverisjes së hapur e transparente dhe të hapjes së të dhënave.

“Transparenca është vlerë për ndërtimin e besimit, për krijimin e rrjeteve të bashkëpunimit në mes të qeverisë, shoqërisë civile dhe akademisë“, tha z. Abazi. Në panel gjithashtu u diskutua për sfidat që institucionet e Kosovës, e veçanërisht komunat kanë në kategorizimin e të dhënave, plasimin e tyre dhe shfrytëzimin e tyre në dobi të zhvillimit të qëndrueshëm socio-ekonomik.

Konferenca e Danubit është ndër organzimet më të mëdha në fushën e qeverisjes demokratike, rritjes së kualitetit të shërbimeve, gjithëpërfshirjes qytetare në vendimmarrje dhe promovimit të parimeve të reformës në administratën publike.

Kjo konferencë dhe ky organizim është në kuadër të programit të INDEP për bashkëpunim rajonal, dhe shërben edhe si mundësi e mirë për institutin që të zgjerojë rrjetet e bashkëpunimit me akterë rajonalë dhe evropianë në fushën e reformës në administratën publike me theks të veçantë në rritjen e transparencës si vlerë fundamentale e demokracisë.