INDEP zhvillon takime me qytetarë në Drenas dhe Obiliq për të diskutuar investimet kapitale dhe platformën INVESTOMETRI

Përfaqësues të Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), zhvilluan takime me qytetarë në Drenas dhe Obiliq për të diskutuar investimet kapitale në komunë dhe mundësinë që qytetarët të informohen më shumë rreth tyre. Me këtë rast, INDEP shpërndau broshura informuese për projektin ”Investometri – më shumë transparencë dhe llogaridhënie ndaj shpenzimeve publike për investime kapitale në nivelin lokal”. Përveç broshurës, për qytetarë u shpërndanë edhe buletine informuese për projektet kapitale për vitin 2016 në këto dy komuna.

Komuna e Drenasit dhe ajo e Obiliqit mirëpritën këto materiale informuese dhe një pjesë e tyre u mbajtën në sportelet e komunës në mënyrë që qytetarëve të u jepen ato. Që nga lansimi i platformës investometri.com, INDEP ka zhvilluar komunikim të shtuar me zyrtar komunal gjithnjë me qëllim që platforma të jetë në shërbim të informimit të qytetarëve dhe rritjes së transparencës dhe llogaridhënës në komuna.
INVESTOMETRI synon të krijojë një hapësirë të qasshme për publikun që të informohen rreth investimeve kapitale dhe vet të përcjellin zbatimin e tyre duke përdorur përparësitë e teknologjisë informative. Informatat vazhdimisht azhurohen dhe qytetarët kanë mundësi të shohin progresin në kohë reale. INVESTOMETRI ka për qëllim që qytetarëve t’ua krijojë një pasqyrë të përgjithshme të orientimeve të komunës për investime kapitale dhe ta bëjë qytetarin pjesëmarrës në monitorim të realizimit të zbatimit të tyre.