Për herë të parë në kosovë – INDEP publikon data bazën e indikatorëve për zhvillim të qëndrueshëm (IZHQ)

Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP publikoi sot data bazën e Indikatorëve për Zhvillim të Qëndrueshëm – IZHQ. Gjithnjë të fokusuar në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm në vend në të gjitha nivelet e politikë-bërjes, INDEP është përkushtuar drejt mbledhjes së të dhënave për dizajnimin e një data baze të TZHQ-ve e cila përmban më shumë se 150 tregues, të klasifikuar në 19 tema kryesore dhe 47 nën-tema. Qëllimi kryesor i kësaj data baze është zbulimi i trendëve, sfidave dhe mundësive nga perspektiva e tri shtyllave kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm në vend, përkatësisht sferës ekonomike, sociale dhe ajo mjedisore.
Përmes përmbledhjes së këtyre indikatorëve na ofrohet një pasqyrë e qartë e progresit të shënuar në nivel shtetëror në lidhje me çështjet kyçe që janë të rëndësishme në kuadër të këtyre tre sektorëve strategjik. Përzgjedhja e treguesve është bërë përmes një kombinimi të TZHQ-ve të identifikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) në kombinim me treguesit tjerë të identifikuar në bazë të të dhënave të siguruara nga Agjencia Kosovare e Statistikave (AKS) dhe burime tjera të besueshme të të dhënave, siç janë: Banka Botërore, Euromonitor Passport, ministritë përgjegjëse, etj.

Angazhimi i INDEP-it në këtë drejtim është gjithashtu në përputhje me objektivat kryesore të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Mjedis dhe Zhvillim të mbajtur më 1992, ku u përcaktua që TZHQ-të do të mund të ishin mjeti strategjik për të ndihmuar qeveritë dhe shtetet që të angazhohen në vendim-marrje të informuar në sektorë të ndryshëm të politikë-bërjes, me fokus të posaçëm tek promovimi i zhvillimit të qëndrueshëm. Me këtë rast i bëhet thirrje të posaçme shteteve, qeverive e organizatave joqeveritare që të angazhohen për të zhvilluar TZHQ-të si mënyrë për sigurimin e një baze të shëndoshë për vendim-marrje të informuar në afat të gjatë. Prandaj edhe INDEP i bën thirrje Qeverisë që të përkushtohet drejt analizës dhe studimet të trendëve të identifikuara në këtë data bazë në mënyrë që të sjellë politika të edukuara në sektorët përkatës.

Përkundër faktit që Kosova ende nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, ajo aspiron të bëhet anëtare si dhe është zotuar të përmbushë kërkesat që dalin nga legjislacioni (Acquis) i Bashkimit Evropian, prandaj përkushtimi i saj drejt krijimit të praktikave të zhvillimit të qëndrueshëm bëhet tashmë imperativ. Andaj, INDEP ka vendosur të përkushtohet në këtë drejtim dhe të përpilojë një listë TZHQ-sh, gjë që po realizohet për herë të parë në Kosovë dhe kështu po sigurohet një platformë e cila shërben si vegël efektive për të monitoruar performancën e përgjithshme të zhvillimit të qëndrueshëm në vend.

Të dhënat në këtë raport janë mbledhur për periudhën 2008-2015. Periudha e analizës përkon me periudhën që nga shpallja së pavarësisë së Kosovës dhe ekzistimi i saj si njësi e pavarur shtetërore. Është me rëndësi të nënvizohet që çdo kategori e të dhënave përplotësohet me një pjesë ku ofrohen komentet në lidhje me trendët më interesante të spikatura në fushat përkatëse.

Përfundimisht, edhe pse ideja fillimisht ishte që të mblidheshin të dhënat për tremujorë, si pasojë e disponueshmërisë së ulët të statistikave, TZHQ-të për Kosovën do të publikohen një herë në vit. Mirëpo, INDEP do të vijojë me publikimin e tri analizave të thukëta për te tre komponentët, respektivisht, për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe atë mjedisor duke mëtuar që të ofrojë një analizë më përmbajtësore të zhvillimeve përmes të dhënave të paraqitura në këtë data bazë.

Në ndërkohë, duke qenë që gjatë hulumtimit tonë jemi përballur me kufizime të caktuara në grumbullimin e të dhënave, ne kemi rreshtuar një sërë rekomandimesh që po ia adresojmë të gjitha agjencive publike, ministrive përkatëse dhe Agjencisë Statistikore të Kosovës. Duke qenë të fokusuar tek ofrimi i informatave të plota dhe të azhurnuara ashtu që politikë-bërësit dhe hartuesit e strategjive të marrin vendime të informuara, do të ishte e këshillueshme që:

– Agjencia Statistikore e Kosovës të rishikojë tërësinë e vet të publikimeve, si dhe të sigurojë që data bazat të jenë të plota me të dhënat e munguara;

– Agjencia Statistikore e Kosovës të angazhohet në të siguruarit që të dhënat tremujore të sigurohen për të gjithë sektorët, si dhe jo vetëm për një numër të kufizuar të tyre, siç është situata sot;

– Agjencitë e pavarura të publikojnë raportet e tyre vjetore të të dhënave në baza të rregullta në faqet e tyre përkatëse të internetit;

– Ministritë të kërkojnë llogari nga agjencitë kur këto të dhëna nuk vihen në dispozicion të publikut me qasje të lehtë;

– Qeveria të kërkojë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës që të plotësojë listën e treguesve, duke inkorporuar të gjithë treguesit e sugjeruar sipas metodologjisë që ofrohet nga OKB-ja;

– Agjencia Statistikore e Kosovës të bashkëpunojë me data bazat tjera të mëdha statistikore ndërkombëtare, si ato që janë përdorur për përpilimin e të dhënave në këtë platformë të TZHQ-ve.

Klikoni këtu për të pas qasje në data bazën e IZHQ-ve dhe punimin përcjellës.