Platforma INVESTOMETRI po ndikon pozitivisht në rritjen e transparencës së komunave ndaj qytetarëve

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) organizoi tryezën “Transparenca në shpenzimet publike për investime kapitale në nivel lokal”. Kjo tryezë vije si rezultat i projektit një vjeçar INVESTOMETRI, i cili i monitoroi investimet kapitale në katër komuna; Prishtinë, Obiliq, Fushë-Kosovë dhe Drenas. Kjo tryezë ofroi hapësirë për diskutim mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të këtyre komunave sa i përket projekteve kapitale.

Të pranishmit në këtë tryezë, po ashtu, patën rastin të njoftohen me rezultatet e analizës “Investimet kapitale në katër komuna të Republikës së Kosovës.” të realizuar nga INDEP.

Learta Hollaj, menaxhere operacionale e INDEP, në fjalën e saj hyrëse tha se kjo tryezë shërben si hapësirë diskutimi që shpesh mungon sa i përket investimeve kapitale. Znj. Hollaj e prezantoi projektin INVESTOMETRI, i cili ka filluar që një vit dhe është parë si platformë e domosdoshme që qytetari të gjejë informacione për investimet kapitale në një vend. INVESTOMETRI tregon në kohë reale se në cilën fazë janë projektet kapitale në komunat përkatëse dhe arsyet e vonesave në realizimin e tyre dhe kështu rritë transparencën e komunave dhe mundëson pjësëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje. Sipas znj. Hollaj, Investometri është shndërruar në një mjet të përdorshëm edhe nga ana e qytetarëve edhe për komunat, që të jenë sa më transparente karshi qytetarëve. Përndryshe, Investometri ka filluar si pilot projekt me 4 komuna; Prishtinë, Obiliq, Fushë-Kosovë dhe Drenas, ndërkaq projekti do të fillojë edhe me 4 komuna të tjera: Gjilan, Novobërdë, Kamenicë dhe Gracanicë.

Diskutimit i kontribuoi edhe përfaqëesuesja e Ministrisë së Administrimit së Pushtetit Lokal, znj. Fetije Begolli – Maxheri, e cila e mirëpriti organzimin dhe angazhimin e vazhdueshëm të INDEP sa i përket rritjes së transparencës së komunave kundrejt qytetarëve. Znj. Begolli-Maxheri, u prezantoi të pranishmëve ligjet dhe udhëzimet e MAPL-së që obligojnë komunat që t’i zbatojnë rregulloret që sigurojnë transparencën e tyre. “Ligji për menaxhimin për financa publike e obligon komunën të dorzojë raporte 3 mujore në kuvend komunal, ky raport duhet të publikohet edhe në website të komunës. Raportimi i buxhetit shërben si mjet matës i llogaridhënies kundrejt qytetarëve. Jo të gjitha komunat janë të përgjegjshme t’i përfillin këto ligje e udhëzime. Në website të komunave nuk mund t’i gjeni të gjitha informatat që kërkohen nga këto udheëzime të MAPL-së.” tha ajo. Znj. Begolli Maxheri shtoi se edhe Raporti i progresit kishte dhënë rekomandim që të përmirësohet transparenca qoftë e nivelit lokal, qoftë i atij qendror. Përndryshe, përfaqësuesja e MAPL tregoi se është duke u përgatitur një analizë të investimeve kapitale përgjatë viteve, dhe bashkë me Ministrinë e Financave do ta bëjmë publike dhe do të adresohen problemet kryesore dhe alternativat e zgjidhjes.

Dardan Abazi, koordinator i projektit Investometri; e prezantoi analizën “Investimet kapitale në komuna të Republikës së Kosovës” të realizuar nga INDEP. Pas monitorimit një vjeçar të katër komunave, me synim të gjetjes së arsyeve se pse investimet kapitale nuk realizohen tërësisht në nivel komunal; analiza tregon se një pjesë e madhe e investimeve kapitale vonojnë në zbatimin e tyre të plotë. Sipas rezultateve të analizës, këto projekte ose kryhen me vonesa ose kanë mbetur tërësisht të parealizuara edhe pas kryerjes së vitit kalendarik. Arsyet e këtyre vonesave, sipas analizave, përfshijnë problemet pronësore me të cilat përballen komunat, pastaj problemet e procedurave të ligjit, problemi me operatorët etj. Z. Abazi tregoi se një pjesë e madhe e vonesave të implementimit të projekteve kapitale vijnë si rrjedhojë e problemeve që komunat nuk kanë përgjegjësi direkte. Ndërkaq, pjesa më e madhe e shpenzimeve komunale, sipas analizës, shkon për paga dhe mëditje.

“Një pjesë e madhe e investimeve komunale shkojnë për paga dhe mëditje;  mbi 33% e investimeve kapitale për katër komuna shkojnë për planifikim urban dhe mjedisor, sidomos në shtrimin e rrugëve. Komunat e kanë arsyetuar këtë shpenzim buxhetor duke thënë që vetëm po i përmbushin kërkesat e qytetarëve. Investimet e vazhdueshme në infrastrukturë rrugore kanë bërë që mirëmbajtja e rrugëve të jetë problematike.” Tha z. Abazi. Statistika e përgjithshme e investimeve kapitale tregon se 47% e projekteve janë finalizuar në kohë.

Ndërkaq, Z. Burim Gërguri, kryetar i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencave në Obiliq tha se buxheti aktual për komuna përbën barrierë për këto komuna.  Z. Gërguri tha se komuna e Obliqit ka nevojë për rritje të buxhetit për mallra dhe shërbime, ku hyn edhe mirëmbajtja e rrugëve dhe shpenzime të tjera që do të duhej të kishin buxhet të veçantë. Sipas tij, duhet të ekzistojë një linjë e veçantë buxhetore për këtë sepse përbën barrierë ndaj komunës.

Të pranishmit në tryezë, përfaqësues nga komuna e Drenasit dhe e Obiliqit e vlerësuan bashkëpunimin me INDEP dhe projektin Investometri.

Afrim Prokshi, zyrtar nga komuna e Drenasit tha se platforma INVESTOMETRI ka ndikuar shumë pozitivisht për shkak se qytetarët e Drenasit kanë filluar të interesohen për këtë platformë dhe të kërkojnë informacione se si mund të qasen në këtë platformë që të dinë se ku qëndrojnë investimet kapitale në Drenas. “Ky është mjet shume i fuqishëm i transparencës sepse e ka rritur bashkëpunimin mes administratorëve të komunës dhe qytetarëve.” tha z. Prokshi.

Të pranishmit e tjerë shprehën shqetësimet e tyre sa i përket vonesave dhe ngadalësimeve të projekteve kapitale në komunat përkatëse, por edhe për kufizimet buxhetore për komuna. Ata u dakorduan që platforma INVESTOMETRI do t’i kontribuojë rritjes së transparencës së institucioneve komunale në njërën anë dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje në anën tjetër.