Ne, organizatat e shoqërisë civile; INDEP, GAP & GLPS, e kundërshtojmë vendimin 04/20 i datës 20 dhjetor 2017[1] të Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave në sektorin publik, ku paga e kryeministrit është dyfishuar dhe në të njëjtën kohë janë rritur pagat e zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave dhe të tjerëve funksionarë publikë.

Vendimi nuk është arsyetuar dhe si i tillë është i papranueshëm. Në një kohë kur Kosova po shënon zhvillim të ngadalshëm ekonomik, dhe rritje të shpenzimeve buxhetore; është e papranueshme që paga e kryeministrit të jetë më e madhe se vendet në rajon, të cilat kanë zhvillim ekonomik dukshëm më të lartë se Kosova.

Përcaktimi dhe rritja e pagave në sektorin publik duhet të bëhet krahas zhvillimit ekonomik, përkatësisht duhet të ketë për bazë pagën minimale dhe GDP për capita-n në vend. Nuk ka arsyetim racional që të rriten pagat kur këta dy indikatorë nuk pësojnë rritje në favor të Kosovës. Kështu, kryeministri Haradinaj në vend se të miratojë vendime që do ta stimulonin zhvillimin ekonomik në Kosovë, ai ua rriti pagat vetes dhe vartësve të tij. Arsyetimi se pagat janë rritur për shkak të punës së madhe dhe shpenzimeve gjatë kryerjes së punës, janë arsyetime për të ardhur keq. Nëse ata nuk mund ta kryejnë punën që u është dhënë në përshkrimin e punës, më e mira është të heqin dorë nga postet e tyre dhe jo t’i bëjnë dëm shtetit të Kosovës në shpinë të përfitimit personal.

Vetëm pak kohë më parë, u dërgua Draft koncept dokumenti për pagat në sektorin publik, i cili kishte për qëllim të krijonte një sistem të unifikuar të pagave në sektorin publik dhe si rrjedhojë do të eliminoheshin aktet e veçanta ligjore që përcaktojnë pagat, rrjedhimisht do ta zvogëlonin mundësinë për manipulime dhe keqpërdorime gjatë përcaktimit të pagave. Megjithatë, vendimi i fundit i Qeverisë për rritjen e pagave të kategorive të përmendura më lartë, e zbehin qëllimin e hartimit të këtij draft koncept dokumenti. Kjo rritje pagash e ka tejkaluar edhe propozimin e Projektligjit paraprak për paga të tërhequr nga Qeveria në Mars 2017 dhe të këtij Draft Koncept Dokumenti, ku koeficienti më i lartë parashihet të jetë 12. Ky vendim është në kundërshtim edhe me vet përpjekjet e Qeverisë e cila përmes vendimit mbi prioritetet kyçe te Agjendës Evropiane te Reformave për vitin 2018, zotohet në miratimin e Ligjit të pagave në qershor të 2018. Ligji për pagat është pjesë e pakos ligjore për reformën e administratës publike të cilat janë duke u hartuar nga Qeveria, konkretisht Ministria e Administatës Publike.

Rritja e pagave në sektorin publik vije në një moment kur GDP vjetore e Kosovës gjatë vitit 2016 llogaritet të ketë qenë rreth 6 miliardë euro dhe paga minimale në vend prej 130 – 170 euro. GDP në tremujorin e parë të vitit 2017 ka pësuar rritje reale me 3.9% në krahasim me tremujorin e njëjtë të 2016, ndërkaq paga minimale në vend vazhdon të jetë e njëjta që nga viti 2010.  Ndërsa, GDP për capita vjetore në Kosovë llogaritet të jetë 3,491 euro. Nëse e vëmë pagën e kryeministrit nëpër vendet e rajonit të cilat janë në BE dhe vendeve tjera me ekonomi të zhvilluar në raport me pagën minimale respektive, vetëm se forcohet akoma më shumë arsyetimi se vendimi i Qeverisë Haradinaj është i papranueshëm.

  • Në Slloveni paga minimale është 804[2] euro, ndërkaq e kryeministrit 5,300, pra paga e kreut të qeverisë slloven ka pagë 6.5 herë më të lartë se paga minimale.
  • Në Kroaci[3], paga minimale është 440 euro, ajo e kryeministrit kroat është 4,850, pra paga e kreut të qeverisë kroate ka pagë 11 herë më të lartë se paga minimale.
  • Në Maqedoni, paga minimale është 240 euro, ajo e kryeministrit maqedon është 1,300, pra paga e kreut të qeverisë maqedone ka pagë 5 herë më të lartë se paga minimale.
  • Në Mal të Zi, paga minimale është 290 euro, ajo e kryeministrit malazez është 1,130, pra paga e kreut të qeverisë malazeze është 4 herë më e lartë se paga minimale.
  • Në Serbi, paga minimale është 190 euro, ajo e kryeministrit serb është 1,000 euro, pra paga e kreut të qeverisë serbe është 5 herë më e lartë se paga minimale.
  • Në Portugali, paga minimale është 650 euro, ajo e kryeministrit portugez 6,500 euro, pra paga e kreut të qeverisë portugeze është 10 herë më e lartë se paga minimale.
  • Në Holandë, paga minimale është 1,600 euro, ajo e kryeministrit holandez 13 mijë euro, pra paga e kreut të qeverisë holandeze është 8 herë më e lartë se paga minimale.
  • Në Kosovë, paga minimale është 130-170, varësisht prej grupmoshës, ajo e kryeministrit kosovar është 2,950 euro, pra paga e kreut të qeverisë kosovare është NJËZETË E DY HERË, RESPEKTIVISHT SHTATËMBËDHJETË HERË MË E LARTË se paga minimale në Kosovë.

Vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik duke mos marrë për bazë indikatorët e mësipërm, është i paarsyeshëm dhe si i tillë duhet të tërhiqet.

Ne, organizatat e shoqërisë civile, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të kujtojë se detyra e tyre nuk është përmirësimi i mirëqenies së tyre personale, por i mirëqenies së shoqërisë në Kosovë dhe se kjo nuk arrihet përmes rritjes së pagave personale, por me nxitjen e zhvillimit ekonomik të përgjithshëm në vend. Vetëm me rritjen e zhvillimit ekonomik të vend, nga i cili do të përfitonin qytetarët e Kosovës do të arsyetohej rritja e pagave të funksionarëve publik.

[1] Kjo është Rroga e Re e Kryeministrit dhe Vartësve të Tij. http://kallxo.com/kjo-eshte-rroga-e-re-e-kryeministrit-dhe-vartesve-te-tij/

[2] http://ec.europa.eu/eurostat/en/web/products-datasets/-/EARN_MW_CUR

[3] Duhet të kihet parasysh se pagat e vendeve të cilat janë në BE i nënshtrohen taksave dukshëm më të larta (20-40%) se sa në Kosovë ku tatimi në paga është shumë më i vogël.