Qeveria e ka rrugën e hapur për të depolitizuar bordet e ndërmarrjeve publike

Pas muajsh të përpjekjeve të Institutit INDEP, Institutit GAP dhe GLPS-së, dje Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) bëri publike opinionin ligjor të saj dërguar Zyrës së Kryeministrit me të cilin konstatohen shkeljet ligjore të bëra me rastin e zgjedhjes së drejtorëve në bordet e ndërmarrjeve publike. INDEP, GAP dhe GLPS, përmes një serie reagimesh kishin denoncuar publikisht politizimin masiv të bordeve dhe kishin raportuar zyrtarisht rastin në AKK.

Që nga tetori 2015, institutet tona kishin gjetur shkelje serioze të Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike me rastin e procedurës për zgjedhjen e drejtorëve në bordet e ndërmarrjeve publike. Më datë 9 tetor 2015 ne u dërguam letër të gjithë anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe Zyrës së Kryeministrit dhe kërkuam ndaljen e praktikës së shkeljes së ligjit dhe anulimin e vendimeve të paligjshme. Ne gjithashtu zhvilluam një hulumtim të pavarur ku gjetëm se 19 kandidat ishin zgjedhur edhe pse kishte një papajtueshmëri të qartë ligjore për zgjedhjen e tyre. Kur Qeveria vazhdoi me praktikën e njëjtë, ne reaguam edhe me 10 e 20 nëntor. U takuam me Sekretarin e Zyrës së Kryeministrit, njoftuam anëtarët e Qeverisë dhe e ngritëm këtë çështje në takime e tryeza me ta.

Për ne ishte e rëndësishme jo thjeshtë fakti që ishte bërë një shkelje ligjore, por sepse jemi të bindur që pasojat e saj dëmtojnë asetet publike të qytetarëve, rrezikojnë cilësinë e shërbimeve ndaj tyre dhe për më tepër janë një hap prapa në ndërtimin e një shteti demokratik ku mbi të gjitha është ligji, e jo një marrëveshje e koalicionit. Shqetësimin tonë e ndau me ne edhe zyra e Komisionerit për Politika të Zgjerimit dhe Fqinjësisë z. Johannes Hahn. Në letrën e përgjigjes nga zyra e tij, datë 4 shkurt 2016, ata shprehën shqetësimin e njëjtë në lidhje me politizimin e bordeve të ndërmarrjeve publike. Ishte e qartë që vendimet e paligjshme të Qeverisë po dëmtonin ndër të tjera edhe procesin e integrimit evropian.

INDEP, GAP dhe GLPS përshëndesin punën dhe opinionin e Agjencisë dhe e falënderojnë atë për qasjen e hapur ndaj organizatave të shoqërisë civile përgjatë gjithë këtij procesi. Jemi të kënaqur që AKK ka gjetur të njëjtat shkelje të evidentuara nga ne tre muaj më parë dhe presim nga Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë masa të menjëhershme dhe të revokojë të gjitha vendimet e paligjshme që ka gjetur AKK. I rikujtojmë Qeverisë që adresimi i gjetjeve të hetimit të Agjencisë është obligim ligjor që rrjedhë nga Ligji Nr.03/L-159 për Agjencinë Kundër Korrupsionit. Ky obligim gjithashtu rrjedhë nga neni 27 i Rregullores Nr.02/2011 të Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës që parasheh anulimin e akteve dhe vendimeve që vërtetohen si të paligjshme .

INDEP, GAP dhe GLPS presin nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha masat për adresimin e menjëhershëm të rekomandimeve dhe shqetësimeve që tashmë janë jo vetëm të organizatave të shoqërisë civile dhe Bashkimit Evropian, por edhe të Agjencisë Kundër Korrupsionit si institucion zyrtar i Republikës së Kosovës. Presim nga ajo, që qysh në mbledhjen e ardhshme të shkarkojë të gjithë anëtarët partiak të zgjedhur në mënyrë të paligjshme dhe vendimi të ketë efekt prapakthyes në mënyrë që të anulohen edhe vendimet e marra nga këta anëtar të bordit që ishin politikisht të varur sipas nenit 17.2 të Ligjit Nr. 03/L-07 për Ndërmarrjet Publike. Qeveria ka në dispozicion listat e komisioneve rekomanduese nga të cilët mund të zgjedhë anëtar të tjerë jopartiak dhe profesional në pajtim me kërkesat ligjore. Në këtë kuptim, vendimi që presim nga Qeveria nuk do të ketë as kosto të përsëritjes së gjithë procesit por do të garantojë ndërmarrje publike që qeverisen nga parimet e profesionalizmit dhe jo të agjendave politike. Rruga është e hapur për Qeverinë dhe kjo rrugë përtej vullnetit politik, mbartë me vete edhe detyrimin ligjor për ta trasuar.