Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) si pjesë e konsorciumit ndërkombëtar të udhëhequr nga Qendra Rajonale për Hulumtime të Politikave të Energjisë (REKK), ka kontribuar në zhvillimin e skenarëve për sektorin e energjisë elektrike në rajon deri në vitin 2050. Përmes këtyre skenarëve synohet dekarbonizimi i sektorit të energjisë elektrike dhe zëvendësimi me energji të ripërtëritshme. Sot në Bruksel publikohet raporti i plotë me skenarët e zhvilluar për sektorin e energjisë elektrike deri në vitin 2050 me fokus në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Greqi, Serbi, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Rumani. Duke punuar së bashku, vendet e Evropës Juglindore mund t’i lehtësojnë ndjeshëm sfidat dhe t’i rrisin përfitimet që rrjedhin nga dekarbonizimi i sektorit të energjisë elektrike deri në vitin 2050, tregon raporti i sapo publikuar mbi të ardhmen e sektorit të energjisë elektrike në rajon.

Raporti sugjeron se rajoni i SEERMAP do të duhet të zëvendësojë më shumë se 30% të kapacitetit aktual të prodhimit të bazuar në karburante fosile deri në fund të vitit 2030 dhe më shumë se 95% deri në vitin 2050. Kjo, në njërën anë paraqet sfidë për të përgatitur një kornizë politikash që do të nxisë investime të reja, dhe në anën tjetër, është një mundësi për ta formësuar sektorin e energjisë elektrike për një periudhë afatgjatë në linjë me një strategji më të gjerë të tranzicionit energjetik të pakufizuar nga portofoli aktual i gjenerimit.

Projekti i Udhërrëfyesit të Energjisë Elektrike për Evropën Juglindore (SEERMAP) përfshinë tre skenare: Skenari “pa target”, i cili pasqyron implementimin e politikave ekzistuese energjetike; Skenari i “dekarbonizimit” i cili pasqyron një strategji afatgjatë për reduktimin e emetimeve të CO2 në linjë me objektivat e BE-së për reduktimin e emetimeve për sektorin e energjisë elektrike në tërësi; dhe Skenari “i vonuar”, i cili përfshin një zbatim fillestar të planeve aktuale të investimeve kombëtare, pasuar nga një ndryshim në orientimin e politikave duke filluar nga viti 2035 e më pas, duke rezultuar pothujse në nivele të njëjta të reduktimit të emetimeve në vitin 2050 si skenari i ‘dekarbonizimit’. Transformimi sërish është i bazuar në rritjen e çmimit të CO2 dhe rritjes së mbështetjes ndaj BRE-së nga viti 2035 e tutje.

Vendet e Evropës Juglindore kanë sfida të përbashkëta në sektorin e energjisë elektrike: një flotë e vjetër e prodhimit të energjisë elektrike e bazuar kryesisht në linjit dhe që ka nevojë për investime të reja, ndjeshmërinë e konsumatorëve ndaj çmimeve të larta për konsumatorin fundorë dhe performancën jo të mirë fiskale të kompanive shtetërore. Por, ekzistojnë edhe mundësi të përbashkëta. Rajoni ka një potencial të madh për gjenerimin e energjisë diellore, të erës dhe të biomasës, potencial të madh hidro për balancimin e sistemit dhe në përgjithësi është i ndërlidhur mirë.

“Hartuesit e politikave, investitorët e energjisë dhe hisedarësit e shoqërisë civile do ta shikojnë raportin dhe do ta kuptojnë se e ardhmja jonë e përbashkët dhe e pashmangshme pa qymyr, arrihet më së miri nëse e marrim parasysh perspektivën rajonale dhe punojmë së bashku drejt dekarbonizimi të tregut tonë të energjisë elektrike dhe zëvendësimin e termocentraleve me qymyr me burime të ripërtëritshme “, thotë László Szabó nga REKK, njëri prej anëtarëve të konsorciumit hulumtues të projektit.

I lansuar në prag të sesionit të 23-të të Konferencës së Palëve (COP 23) të Konventës së OKB-së për Ndryshime Klimatike (UNFCCC), raporti shërben për të inicuar një dialog të informuar dhe bashkëkohor midis hisedarësve në rrafshin kombëtare dhe atë rajonal. Përderisa konteksti kombëtar mund të ndryshoj nga një vend te tjetrit, udhërrëfyesi i SEERmap parashtron mundësitë drejt dekarbonizimit të sektorit deri në vitin 2050, mundësi këto të cilat kanë implikime substanciale në përballueshmërinë, qëndrueshmërinë dhe sigurinë e furnizimit me energjis në të ardhmen.

Raporti tregon se do të ishte e mundur të zvogëlohen emetimet e CO2 në sektorin e energjisë elektrike në rajon në shkallën 93-99%, siç edhe parashohin targetet e parashturara nga Bashkimi Evropian. Kjo mund të arrihet duke shfrytëzuar potencialin e lartë të energjisë së ripërtëritshme në rajon. Në të njëjtën kohë, rezultatet tregojnë se nisur nga kushtet e definuara nëSkemën BE-së për Tregtimin e Emetimeve e cila pritet të zbatohet në Ballkani Perendimor duke filluar nga viti 2013,  termocentralet e bazuara në prodhim nga qymyri dhe linjiti nuk do të jenë komercialisht të përballueshme në aspektin afatgjatë.  Gazi natyror luan një rol të madh në fazën e tranzicionit, duke zëvendësuar një pjese të termocentraleve të mbyllura të qymyrit, para se të hiqet edhe ai tërësisht nga sistemi i energjisë elektrike deri në vitin 2050.

Shtetet që aderojnë në BE do t’u ekspozohen proceseve të përbashkëta të liberalizimit të tregut, integrimit dhe dekarbonizimit si rezultat i miratimit të Acquis të BE-së për energji. Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike dhe niveli i lartë i ndërlidhjeve nënkupton çmime të  barabarta të energjisë elektrike në rajon dhe konkurrencë rajonale midis prodhuesve. Prandaj, planifikimi i sektorit të energjisë elektrike duhet të zhvendoset nga niveli kombëtar në atë rajonal për ta zvogëluar koston e dekarbonizimit dhe për ta rritur sigurinë e furnizimit.

 

——————————————————————————————————————-

Projekti u implementua nga konsorciumi ndërkombëtar i udhëhequr nga Qendra Rajonale për Hulumtime të Politikave të Energjisë (REKK). Financimi për projektin u sigurua nga Ministria Federale Austriake e Bujqësisë, Pylltarisë, Mjedisit dhe Administrimit të Ujërave dhe Fondacioni Evropian i Klimës. Raportet e prodhuara nga projekti janë në dispozicion në http://seermap.rekk.hu

Për informacione të mëtejshme ju lutemi kontaktoni László Szabó në REKK duke telefonuar në + 36 14825153 ose duke e shkruar tolaszlo.szabo@rekk.hu (në anglisht).