Taksat e dedikuara duhet të alokohen për qëllimin për të cilin mblidhen, jo për të rritur shpenzimet tjera të Qeverisë

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung (FES) organizuan sot konferencën për media me ç’rast u prezantua analiza e politikave ”Taksat e dedikuara në Kosovë – çka po marrim në këmbim të pagesës”. Ky punim është rezultat i përpjekjeve të Institutit INDEP për të avancuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe qeverisjen demokratike në vend përmes sigurimit të transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e financave publike.

Analiza shqyrton taksat e dedikuara në Kosovë duke u fokusuar në trajtimin që institucionet e Kosovës i bëjnë të hyrave që në qëllimin e tyre janë të dedikuara. Në prezantimin e tyre, Dardan Abazi dhe Learta Hollaj nga INDEP vunë theksin tek natyra e mbledhjes së të hyrave në buxhetin e Kosovës. “Një problematikë bazë që kjo analizë synon ta adresojë është mbledhja e taksave për qëllime të dedikuara dhe më pas rishpërndarja e tyre për qëllime të tjera” – theksoi z. Dardan Abazi, hulumtues në INDEP. Si shembull u përmenden rasti i taksës ekologjike dhe taksës rrugore ku të njëjtat mblidhen për një qëllim të caktuar dhe nuk alokohen për të njëjtin qëllim. “Kjo praktikë, shkelë parimin e ekuivalentit në caktimin e taksave dhe tatimeve publike dhe dëmton qytetarët e Kosovës” tha në vazhdim z. Abazi.

Në vijim të argumenteve të prezantuara nga INDEP, znj. Learta Hollaj, hulumtuese në këtë institut, listoi përfundimet dhe rekomandimet e analizës. ”Sistemi i tanishëm i menaxhimit të financave publike është i centralizuar dhe nuk i përgjigjet nevojës reale dhe shpenzimeve reale” – theksoi ajo. ”Baza ligjore duhet të sigurojë që qëllimet e mbledhjes së një takse të dedikuar dhe shpenzimet të përputhen. Në këtë mënyrë do të respektoheshin parimet e mbledhjes së taksave të dedikuara, do të mbrohej qytetari dhe do të siguroheshin burime të qëndrueshme dhe të besueshme të financimit të projekteve dhe fondeve në pajtim me prioritetet qeveritare” – tha znj. Hollaj.

Ndërkaq, znj. Besa Luzha, koordinatore e programit në FES theksoi rëndësinë që FES i kushton temave si kjo të cilën e ka trajtuar INDEP. ”Qëllimi i punimit është në përputhje me vlerat të cilat fondacioni ynë i promovon dhe së bashku me INDEP ne do të vazhdojmë të avokojmë për tema të tilla” – theksoi ajo. Më tej, znj. Luzha theksoi që një rol tejet të rëndësishëm në adresimin e këtij problemi e ka edhe Kuvendi i Kosovës, pranë të cilit do të prezantohen dhe të gjeturat e kësaj analize.

Konferenca u organizua në kuadër të programit të INDEP për qeverisje demokratike dhe u mbështet nga fondacioni Friedrich Ebert Stiftung. Analiza e publikuar në këtë konferencë mund të gjendet në KËTU.