INDEP publikon Analizën për marrëdhëniet tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në prag të mbledhjes së dytë ndërqeveritare

Në prag të mbledhjes së dytë të përbashkët të qeverive Kosovë-Shqipëri, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka realizuar një punim vlerësues të marrëdhënieve tregtare në mes të dy vendeve. Punimi sjell një vlerësim të progresit të shënuar deri më sot që nga koha e themelimit të Kosovës si shtet i pavarur dhe njëkohësisht një reflektim mbi ngjarjet e zhvilluara në rrafshin e marrëdhënieve tregtare që nga mbledhja e parë e përbashkët e mbajtur në janar 2014.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës vërehet një rritje e fluksit tregtar bilateral, mirëpo ajo çka është brengosëse në këtë mes, është fakti që vlera e shkëmbimeve tregtare është shumë e ultë dhe e një kualiteti jo të kënaqshëm, duke u bazuar kryesisht në produkte bazike dhe materiale të papërpunuara pa ndonjë vlerë të shtuar të theksuar. Kjo ndodhë kryesisht për disa arsye, ku ndër më të dalluarat janë mungesa e zhvillimit të brendshëm ekonomik dhe niveli i ulët i prodhimtarisë dhe si rrjedhojë oferta jo e pasur që mund t’i servojnë këto vende njëra tjetrës. Për më tepër, sado që mund të duket jo relevante, praktikat tregtare dhe historiku i partneriteteve biznesore në të dy anët e kufirit nuk ka qenë në favor të avancimit të marrëdhënieve tregtare në mes të dy vendeve. Përkundrazi, të dy vendet kanë një kulturë konsumuese të bazuar dhe të ndikuar nga vende të tjera fqinje, ku Kosova është historikisht e lidhur me Serbinë dhe Maqedoninë, përderisa Shqipëria shquhet për marrëdhëniet e ngushta tregtare me Italinë dhe Greqinë. Kjo ka ndikuar edhe në kërkesën e ulët në treg për produktet e ndërsjella të këtyre dy vendeve, që ndodh ndër të tjera edhe si mungesë e edukimit dhe njohurisë së produkteve të prodhuara në Kosovë apo Shqipëri.

Për më tepër, përkundër vullnetit dhe dëshirës për të përmirësuar marrëdhëniet tregtare bilaterale, tregtia në mes të Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë prehë e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve të shumta në vitet e fundit. Mirëpo, ajo çka vërehet është që së fundmi kemi një përkushtim më intensiv si të nivelit qeveritar po ashtu edhe të komunitetit biznesor për të luftuar këto barriera jo tarifore dhe për të gjetur modalitete për zgjidhjen e problemit. Përderisa zëra të ndryshëm thërrasin për krijimin e një tregu të përbashkët ekonomik, ajo çka shihet si më e arsyeshme në këto rrethana është që të dyja palët të fokusohen në respektimin dhe jetëzimin e marrëveshjeve ekzistuese. Gjithashtu, t’i përkushtohen përpilimit të strategjive dhe planeve të veprimit të detajuara që do të shpinin natyrshëm te arritja a lirimit të tregut dhe rrjedhimisht do të përmirësonin bilancin tregtar në mes të dy vendeve.

Të gjeturat dhe rekomandimet mund t’i gjeni në punimin e plotë që mund ta lexonikëtu.

Ky punim është rezultat i projektit “Shqipëria dhe Kosova në kërkim të së ardhmes së përbashkët”, të cilin INDEP e ka realizuar në bashkëpunim me Insitutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (ISHSN) dhe me mbështetje nga Friedrich Ebert Stiftung (FES), zyrat në Prishtinë dhe Tiranë.