Dita Ndërkombëtare e Efiçiencës së Energjisë

Sot është Dita Ndërkombëtare e Efiçiencës së Energjisë.

Një vit më parë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) publikoi ‘Dita Ndërkombëtare e Efiçiencës së Energjisë: 10 masa të menjëhershme që Kosova duhet t’i ndërmarrë për rritjen e efiçiencës së energjisë’.

Aso kohe ne rekomanduam që, krahas themelimit të Fondit të Efiçiencës së Energjisë, institucionet e Kosovës të ndërmerrnin hapa drejt fuqizimit të masave fiskale për pajisje me efiçiencë të lartë. Gjithashtu ne rekomanduam konsolidimin e një Kodi të Ndërtimit në atë mënyrë që të nxitej përdorimi i materialeve efiçiente në ndërtim dhe përfshirja e praktikave që ruajnë energjinë në industrinë e ndërtimit. Përveç këtyre ne patëm propozuar edhe reformë në praktikat e prokurimit publik në mënyrë që institucionet publike të kontraktojnë vetëm materiale, produkte, dhe shërbime efiçiente.

Masa të tjera përfshinin edhe eko-vozitje për më shumë efiçiencë në transport, qytete të mençura me politika të mençura, ndriçim publik efiçientë dhe të mençur, statistika të sektorit, politika për ndërmarrjet biznesore, si dhe programe edukimi dhe trajnimi për efiçiencën e energjisë.

Një vit më pas, për fat të keq përpos themelimit të Fondit të Efiçiencës së Energjisë që ka qenë thirrje e jona që nga viti 2012, në asnjë nga masat e tjera nuk ka pasur progres. I bëjmë thirrje Qeverisë që të ndërmarrë masa të menjëhershme për promovimin e efiçiencës së energjisë në sektorët e amvisërisë, industrisë dhe transportit në zbatim të caqeve të vitit 2020 dhe përkushtimeve të reja të BE-së për efiçiencë të lartë prej 32.5% deri në vitin 2030. Vetëm duke prioritizuar efiçiencën e energjisë ne do të mund të ndërtojmë sistem energjetik që kursen paratë e qytetarëve dhe rritë kualitetin e jetës dhe sigurinë e furnizimit.