INDEP nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me komunën e Kamenicës

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me kryetarin e komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, për projektin monitorues të investimeve kapitale, INVESTOMETRI.

Ky Memorandum Mirëkuptimi do t’i mundësoj Institutit t’i ketë të dhënat që i duhen për ta përditësuar platformën Investometri.com, në të cilën paraqitet në kohë reale mbarëvajtja e investimeve kapitale në 8 komuna të Kosovës. Këtë vit, përmes Investometri-t, përveç qytetarëve të Prishtinës, Obiliqit, Fushë-Kosovës dhe Drenasit, do ta kenë mundësinë edhe ata të komunave të Kamenicës, Graçanicës, Gjilanit dhe Novobërdës të informohen në kohë reale për mbarëvajtjen e projekteve kapitale në komunat e tyre.

Përndryshe, kjo platformë plotëson kushtin e parë për pjesëmarrje aktive të qytetarëve në vendimmarrje e që është informimi. Gjithashtu, INVESTOMETRI ndikon në rritjen e transparencës dhe llogaridhënjes për investime kapitale dhe qeverisjes së mirë pasi u mundëson qytetarëve të jenë vetë monitorues të zbatimit të projekteve kapitale në lagjet apo fshatrat e tyre. INVESTOMETRI si qëllim përfundimtar synon ta rrisë nivelin e komunikimit qytetarë-komunë dhe synon t’i bëjë qytetarët pjesë të vendimmarrjes.

Ky projekt financohet nga National Endowment for Democracy.