INDEP publikon dokumentin e parë të politikave për Edukimin mbi Median dhe Informacionin në Kosovë

Në ditën e fundit të Javës Globale të Edukimit mbi Median dhe Informacionin, e cila organizohet nga UNESCO, INDEP publikon dokumentin e parë të politikave për Edukimin mbi Median dhe Informacionin në Kosovë, që vjen si rezultat i projektit të implementuar “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqi” të financuar nga UNESCO dhe Komisioni Evropian.

Ky dokument politikash paraqet pikënisje për prezantimin e konceptit të Edukimit mbi Median dhe Informacionin (EMI) në politikën publike të Kosovës. Qëllimi i tij kryesor është të skicohet infrastruktura aktuale e politikave kur bëhet fjalë për edukimin formal dhe joformal mbi median dhe informacionin dhe të hapë rrugën për një ndërhyrje përmes së cilës mund të prezantohet një kornizë e duhur strategjike nacionale për EMI. Si i tillë, dokumenti do të shërbejë si pikë fillestare e kontaktit ndërmjet politikës aktuale në Kosovë dhe Udhëzimeve të Politikave dhe Strategjive të EMI të UNESCO-s.

Ky dokument paraqet rezultatin e konsultimeve të para nacionale për EMI në Kosovë të organizuara nga INDEP, intervistat me hisedarët kryesorë të kësaj fushe dhe përcakton emëruesin më të madh të përbashkët të pozicioneve të të gjithë akterëve relevantë kur është fjala për EMI në Kosovë. Si i tillë, ky dokument përmban rekomandime strategjike nga hisedarët për mënyrën se si duhet të kuptohet, zhvillohet dhe promovohet korniza e EMI në Kosovë.

Klikoni KËTU për ta lexuar në detaje dokumentin.