Në shenjë proteste, drejtori ekzekutiv i INDEP dorëhiqet nga komisioni vlerësues për zgjedhjen e Kryeshefit të AKEE

Në një letër drejtuar ministrit të Administratës Publike, Mahir Yagcilar, drejtori ekzekutiv i INDEP-it, Burim Ejupi në shenjë proteste ka dhënë dorëheqje nga të qenit pjesë e komisionit vlerësues për zgjedhjen e Kryeshefit të Agjencisë Kosovare të Efiçiencë së Energjisë.

Sipas Ejupit, arsyet e dorëheqjes ndërlidhen me vendimet e fundit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që përkundër profesionalizmit të komisioneve vlerësuese; në fund Qeveria/Kuvendi ka zgjedhur kandidatët të cilët në asnjë mënyrë nuk i kanë plotësuar kushtet për ato pozita si në rastin e përzgjedhjes së sekretarëve të MTI, MASHT dhe bordit të ZRRE-së, raste që tregojnë se as memorandumet me Britanikët e as përfshirja simbolike e shoqërisë civile nuk do të ndalojnë politikën në përkrahjen e njerëzve politikë në vend të atyre profesionalë.

“Unë me kënaqësi kam pranuar që të jem pjesë e panelit pasi edhe në të kaluarën në ato panele që kam qenë pjesëmarrës, kandidatët të cilët janë vlerësuar nga paneli (edhe pse ndoshta nga unë nuk janë vlerësuar maksimalisht) janë zgjedhur në ato pozita nga politika (Qeveria/Kuvendi) dhe kjo më ka dhënë shpresë që në pozitat e larta shtetërore po zgjidhen njerëz profesionalë dhe kompetentë, por rastet e fundit ku kandidati i katër me radhë ose i gjashti zgjidhet, kur as kriteret minimale nuk i ka plotësuar, mua si anëtar i pavarur më bëtë jo relevant të jem në panel kur puna ime dhe e anëtarëve tjerë as që vlerësohet e as që merret parasysh, kështu që e bën të pamundur që unë të jem pjesë e panelit.” ka shkruar në letrën e tij të dorëheqjes Z. Ejupi.

Sipas tij, depolitizimi i bordeve të agjencive, rregullatorëve dhe ndërmarrjeve publike është një detyrë që kërkon vullnet politik, përfshirje të mekanizmave të mbrojtjes së ligjit dhe një përkushtim të të gjithë shërbyesve civilë dhe pjesëmarrësve tjerë në proces për të pasur sukses. Për këtë arsye, sipas Z. Ejupi, duke parë eleminimin nga procesi të njerëzve profesionalë dhe shtytjen përpara të njerëzve të politikës, pjesëmarrja e tij në këtë panel është vetëm sa për ta përmbushur një kriter ligjor, jo më shumë.