INVESTOMETRI po rritet me partnerë lokal

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) po hynë në fazën e fundit të implementimit të projektit “INVESTOMETRI – më shumë transparencë dhe llogaridhënje në shpenzimet publike për investime kapitale në nivelin lokal”. Në këtë fazë, INVESTOMETRI po zgjerohet në të gjitha komunat e Kosovës me qëllim të rritjes së qëndrueshmërisë së projektit dhe zgjerimit të përfitimeve që sjellë platforma investometri.com. Për këtë, ne kemi angazhuar shtatë partner lokal për të mbuluar të gjitha komunat e Kosovës.

Për regjionin e Prishtinës ne kemi angazhuar Iniciativën për Zhvillim Lokal (IZHL) e cila do të mbuloj komunat e regjionit të Prishtinës. IZHL është organizatë që për vite ka punuar në monitorimin e punës së autoriteteve lokale për avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm lokal.

Për të mbuluar regjionin e Prizrenit ne kemi angazhuar organizatën Community Development and Empowerment (CDE). Kjo organizatë angazhohet në promovimin e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit ekonomik lokal.

Në regjionin e Mitrovicës ne kemi angazhuar OHVSH TRUNGU një organizatë e përbërë nga të rinjtë që synon promovimin e demokracisë lokale dhe përfshirjes së të rinjëve në vendimmarrje.

Regjionin e Gjakovës do ta mbuloj OJQ ZANA një organizatë që për vite angazhohet në promovimin e të drejtave të njeriut, promovimin e gruas dhe politikave sociale në nivel lokal.

Në regjionin e Pejës partner implementues do të jetë Instituti për Monitorimin e Politikave (IMP). Në themel të ekzistimit të saj është monitorimi i performancës së autoriteteve dhe INVESTOMETRI do të jetë një instrument i shkëlqyer për të përmbushur misionin e IMP.

Regjionin e Gjilanit do ta mbuloj organizata Vullnetarët e Qytetit. Kjo organizatë është e fokusuar në promovimin e të rinjëve në vendimmarrje dhe në promovimin e investimeve që kanë impakt në të rinjtë.

Në regjionin e Ferizajit ne kemi angazhuar Center for Education and Development of Environment (CEDE). CEDE angazhohet për promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm me theks të veçantë në mbrojtjen e mjedisit.

Partnerët e INDEP nëpër komunat e Kosovës do të shfrytëzojnë platformën INVESTOMETRI për të monitoruar punën e komunave të Kosovës në implementimin e projekteve kapitale. Projekti “INVESTOMETRI – më shumë transparencë dhe llogaridhënje në shpenzimet publike për investime kapitale në nivelin lokal” është pjesë e programit të INDEP për qeverisje demokratike dhe mbështetet nga National Endowment for Democracy (NED).