Raportimi në Kuvend i ZRRE-së është instrumenti kryesor i Kuvendit për mbikëqyrje parlamentare dhe kërkim të llogaridhënjes. Përmes tij, Kuvendi ka mundësinë që të informohet mbi fushën e energjisë në vend dhe për punën e Rregullatorit në adresimin e sfidave paraprake dhe sfidave të reja. Kuvendi, duke ushtruar funksionin mbikëqyrës, ka shansin që përmes diskutimit mbi këtë raport të krijoj memorie institucionale mbi gjendjen e sektorit dhe të shfrytëzoj atë në procese legjislative brenda fushëveprimit të tij. Për këtë, raporti vjetor i Zyrës së Rregullatorit për Energji është moment i rëndësishëm në punën e Kuvendit dhe organizatave që monitorojnë punën e Kuvendit. Raporti Vjetor i ZRRE-së nuk i shërben vetëm realizimit të llogaridhënjes para deputetëve në lidhje me punën e Rregullatorit. Përkundrazi, raporti ka për qëllim edhe informimin e qytetarëve, investitorëve potencial, komunitetit akademik etj. Për këtë, gjuha e përdorur dhe kualiteti i raportimit në raportet e ZRRE-së, dhe të agjencive të pavarura në përgjithësi ka rëndësi të madhe për realizimin e llogaridhënjes, transparencës. Të gjitha këto, kontribuojnë që raporti të shërbej si referencë për punën e ZRRE-së dhe gjendjen e sektorit të energjisë në vend. Analiza e INDEP është organizuar në atë mënyrë që të pasqyrojë strukturën e raportit të ZRRE. Pas Hyrjes dhe Përmbledhjes Ekzekutive, është analizuar çdo pjesë e raportit të ZRRE-së. Ne kemi trajtuar kryesisht kualitetin e raportimit me qëllim që të informojmë deputetët mbi pjesët ku ka nevojë për informata shtesë apo sqarime shtesë. Në analizën tonë janë përshkruar edhe pyetje të cilat nuk kanë përgjigje brenda raportit dhe për të cilat ne kemi vlerësuar se duhen sqaruar. Kjo analizë është hartuar me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED). Të gjeturat, qëndrimet dhe rekomandimet e këtij raporti nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e NED.