Bashkëpunimi mes Qeverisë së Kosovës dhe Shoqërisë Civile bëhet elektronik

412 0

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe organizata jo-qeveritare Lens, kanë përfunduar pjesën e parë të projektit “Platforma për e-pjesëmarrje themelore”. Ky projekt ka për qëllim lehtësimin e zbatimit të Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2013-2017, përmes shfrytëzimit të teknologjisë informative.

Si pjesë kyçe e kësaj platforme, INDEP dhe Lens do të lansojnë një ueb aplikacion në internet, përmes të cilit sektorët e ndryshëm qeveritarë do të mund të konsultohen me organizatat e shoqërisë civile sa i përket proceseve së politikëbërjes dhe ligjbërjes, konsultim ky që sipas strategjisë qeveritare, parashihet për çdo fazë të këtyre proceseve.

Krenar Gashi, drejtor i INDEP-it, ka vlerësuar lartë këtë dokument strategjik duke theksuar se është pikërisht fakti që në Kosovë kemi shumë ligje e strategji të mira por një zbatim shumë të dobët të tyre që i ka motivuar ta nisin këtë projekt.

“Qëllimi ynë i përbashkët është që ta bëjmë komunikimin mes Qeverisë së Kosovës dhe organizatave jo-qeveritare aq të lehtë dhe praktik, në mënyrë që të eliminohen procedurat byrokratike të bashkëpunimit e bashkë me to edhe arsyetimet e secilës palë, por sidomos të qeverisë, për mungesë komunikimi,” ka thënë Gashi.

Driton Zhubi, drejtor i Lens, në anën tjetër ka theksuar përparësitë e shumta që ka përdorimi i teknologjisë informative në qeverisje dhe ka potencuar se ky ueb aplikacion mëton ta bëjë procesin e ligjbërjes sa më transparent dhe të qasshëm për publikun.

“Gjatë punës sonë kemi kuptuar se ministritë dhe agjencitë qeveritare shpesh nuk kanë poseduar as edhe një listë me kontaktet e organizatave jo-qeveritare për t’i kontaktuar ato për çfarëdo qëllimi. Përmes këtij aplikacioni, qeveria do ta ketë shumë të lehtë identifikimin e organizatave të shoqërisë civile që kanë veprimtari në fusha të caktuara të politikës publike ndërsa OJQ-të do të kenë qasje të plotë për të parë aktivitetet e qeverisë,” ka thënë Zhubi, i cili ka theksuar se i gjithë sistemi do të jetë shumë i lehtë për t’u përdorur si nga OJQ-të ashtu edhe nga Qeveria.

Habit Hajredini, Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, zyrë kjo që pritet ta menaxhojë platformën elektronike pas përfundimit të projektit, ka thënë se realizimi i një platforme të tillë është i domosdoshëm dhe që puna e bërë deri me tani është e rëndësishme për lehtësimin dhe përmirësimin e bashkëpunimit mes sektorit joqeveritar dhe qeverisë.

Gjatë fazës së parë të këtij projekti, INDEP ka bërë një hulumtim për sektorin e shoqërisë civile në Kosovë. Hulumtimi është zhvilluar në tri segmente. Në segmentin e parë, janë identifikuar organizatat aktive në Kosovë në bazë të prezencës së tyre në internet si uebfaqet dhe rrjetet sociale. Ndërsa segmenti i dytë dhe i tretë ka përfshirë kontaktimin individual të këtyre organizatave përmes postës elektronike respektivisht telefonit.

Prej 6,957 organizatave vendore të regjistruara në Kosovë deri në fund të vitit 2013, 705 prej tyre ka qenë e pamundur të kontaktohen, qoftë për shkak të të dhënave të stërvjetruara të cilat kanë qenë në dispozicion të Departamentit për Regjistrim dhe Ndërlidhje me OJQ në Ministrinë e Administratës Publike, qoftë për shkak të mosaktivitetit të tyre dhe të themeluesve të tyre. Nga 6,252 organizata të cilat i kemi kontaktuar në mënyrë direkte, del se 2,224 prej tyre janë aktive, gjegjësisht kanë organizuar të paktën një aktivitet gjatë tri viteve të kaluara.

Në mes tjerash hulumtimi i INDEP vë në pah që nga 2,224 OJQ aktive vetëm 562 organizata janë aktive në internet, qoftë përmes prezencës vetanake me uebfaqe apo përmes faqeve në rrjetet sociale. Një gjetje tjetër interesante është se vetëm 377 OJQ janë të drejtuara nga gratë ndërsa 204 sosh drejtohen nga përfaqësuesit e komuniteteve jo-shqiptare.

OJQ-të aktive janë me bazë kryesisht në qytete të mëdha, ku Prishtina udhëheq me 850 OJQ aktive, e pasuar nga Prizreni me 183, dhe Peja me 136 sosh. Po ashtu, të gjeturat tregojnë për raste ku një person udhëheq më shume se një OJQ e që ky numër në disa raste arrin edhe deri në 10 OJQ të udhëhequra nga i njëjti person.

Lista përfundimtare e OJQ-ve aktive në Kosovë do të vendoset në ueb aplikacionin e projektit, ku organizatat do të mund t’i përmirësojnë të dhënat e tyre si dhe të tregojnë më shumë për fushat e politikës publike në të cilat dëshirojnë që të kontribuojnë përmes dialogut me Qeverinë. OJQ-të e reja si dhe ato që mund të jenë lënë jashtë këtij hulumtimi, në të cilin marxhina e gabimit është më e vogël se 2%, po ashtu do të mund të regjistrohen në aplikacion.

Platforma për E-pjesëmarrje Themelore pritet të zbatohet në tërësi brenda 15 muajve të ardhshëm. Projekti për themelimin e kësaj platforme financohet nga Bashkimi Evropian përmes Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe zbatohet nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) që është një institut kërkimor dhe qendër e avokimit dhe organizata Lens që specializohet në shfrytëzimin e teknologjisë informative për transparencë dhe llogaridhënie.

Related Post