Bashkëpunimi rajonal kyç për avancimin e agjendës së zhvillimit të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në bashkëpunim me East West Parliamentary Practice Project (EWPPP) organizuan këtë fundjavë tryezën me temë ‘Zhvillimi i Qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor: Sfidat në turizëm, bujqësi dhe qytetet e mençura (smart cities)’.

Tryeza e mbajtur me 20 tetor në Tiranë mblodhi së bashku përfaqësues të niveleve të larta të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ekspertë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe akademisë, të cilët diskutuan mbi sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit rajonal në fushat e turizmmit, bujqësisë dhe qyteteve të mençura (smart cities) për të avancuar agjendën e zhvillimit të ëëndrueshëm në rajon.

Në fjalën përshëndetëse,  Znj. Jill Adler, Drejtoreshë e East West Parliamentary Practice Project, theksoi se ka shumë potencial për bashkëpunim midis vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushën e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Ajo e konsideroi këtë iniciativë shumë të rëndësishme për vendet e rajonit dhe konfirmoi se është e nevojshme të bashkohen akterë të ndryshëm dhe të diskutojnë këto çështje që janë  jetike për zhvillimin e rajonit.

Në hapje të tryezës, znj. Ornela Cuci, Zv. Ministre e Turizmit dhe Mjedisit në Republikën e Shqipërisë tha që “Mjedisi nuk ka kufij. Mund të bëhemi të gjithë bashkë për të bërë më shumë për mjedisin, turizmin dhe agrikulturën pasi vendet tona përbëjnë një pjesë shumë të rëndësishme të florës dhe faunës së Evropës.”

Rëndësinë e bashkëupnimit rajonal e konfirmoi edhe Ministri i Republikës së Maqedonisë, z. Zoran Sapuric. Sipas tij, “Zhvillimi i qëndrueshëm është bërë shumë i rëndësishëm në njëzet vitet e fundit. Bazuar në këtë mendësi, ne si vende të Ballkanit Perendimit duhet të aspirojmë që të kemi zhvillim ekonomik bashkë me zhvillim mjedisor dhe drejtësi sociale”. Ai shtoi tutje se qasja rajonale ka shumë më tepër sukses në këtë rajon veçanërisht sepse të gjitha vendet e Ballkanit Perendimor kanë aspirata të integrimit në Bashkimin Evropian.

Diskutimet në tryezë u fokusuan kryesisht në zhvillimin e sektorit të turizmit. Kjo për shkak se turizmi paraqet pothuajse 1/3 të BPV në Mal të Zi dhe Shqipëri, si dhe është një ndër sektorët me më potencial për të gjitha vendet e rajonit. Në këtë drejtim, Z. Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv i INDEP tha se “Kosova dhe regjioni ka një diasporë shumë të fuqishme dhe fuqia blerëse që sjellin dhe investimet janë tejet fitimprurëse. Megjithatë, mungojnë paketa turistike dhe informim i tyre se cilat vende mund t’i vizitojnë në Kosovë.” Ai vijoi duke thënë se ka mënyra të shumta për ta promovuar turizmin në rajone më pak të zhvilluara duke promovuar oferta atraktive siç është vjelja e produkteve bujqësore apo aktivitete të ngjashme. Rrjedhimisht, u cek rëndësia e zhvillimit të agroturizmit në rajon, një ndërmarrje që do të kontribonte në avancimin e të dy sektorëve, turizmit dhe agrikulturës, dhe njëherit është në përputhje me praktikat e zhvillimit të qëndrueshëm.

Sa i përket agrikulturës, u theksua gati që në të gjitha vendet e rajonit, përqindje të larta të popullsisë jetojnë në zonat rurale dhe shpesh janë të pa punësuar. Andaj duhet synuar për të realizuar dhe dizajnuar aktivitetet që gjenerojnë të ardhura të qëndrueshme dhe të kontribuohet për diversifikimin e kulturave drejt më shumë produkteve me vlerë të shtuar të afta për të mbuluar një pjesë më të madhe të kërkesës së konsumit të brendshëm.

Në fushën e zhvillimit të qyteteve të mençura, pjesëmarrësit u dakorduan që rrugëtimi në këtë drejtim është ende i gjatë. Mirëpo, ata pranuan që disa nga kryeqytetet e vendeve të rajonit tashmë kanë përqafuar praktika të cilat përafrojnë zhvillimin në këtë fushë me praktikat ndërkombëtare. Në veçanti u theksuan përpjekjet lokale për t’i digjitalizuar shërbimet publike për qytetarët. Ndërsa, mbetet ende shumë për t’u bërë në drejtim të përmirësimit në transport, konsum të energjisë, mbrojtje të mjedisit, etj.

Në mesin e konkludimeve të kësaj tryezë shquajmë faktin se pjesëmarrësit u dakorduan që vendet e Ballkanit Perëndimor ende duhet të kuptojnë rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të mësojnë se si të integrojnë më mirë parimet e zhvillimit të qëndrueshëm në politikat zhvillimore. Në këtë drejtim, duhet të insistohet në angazhim drejt hartimit të dokumenteve gjithëpërfshirëse dhe me politika bashkëkohore që pasqyrojnë nevojat e shoqërive të sotme.

Përveç mobilizimit të plotë të spektrit politik, shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm në drejtimin e agjendës së zhvillimit të qëndrueshëm në rajon dhe duhet të shërbejë si shtytës për politikëbërësit që të angazhohen më seriozisht në këtë drejtim. Si përfundim, pjesëmarrësit u dakorduan që mbetet shumë e rëndësishme puna me komunitetet dhe investimi në ngritjen e vetëdijes për qytetari aktive.

Kjo tryezë është e para në vazhdën e tryezave që do të organizohen në rajon me qëllim të identifikimit të praktikave më të mira për bashkëpunim rajonal në fushën e turizmit, bujqësisë dhe qyteteve të mençura, përkatësisht zhvillimit të qëndrueshëm si dhe përafrimin e veprimeve dhe politikave në këtë drejtim në mes të vendeve të Ballkanit Perendimor.