Është koha që të gjithë të veprojmë për një mjedis më të shëndetshëm!
Degradimi i mjedisit dhe ndotja e ajrit po ndikojnë në shoqërinë tonë në çdo mënyrë të mundshme, duke filluar nga ajri që e frymojmë, nga uji që pimë dhe nga ushqimi që hamë. Ne besojmë se një mjedis i shëndetshëm është një e drejtë themelore dhe është koha që të gjithë veprojmë për ta ruajtur atë!
Tema e Ditës Botërore të Mjedisit të këtij viti – ndotja e ajrit – është një thirrje zgjimi për të gjithë ne që të veprojmë në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe mbrojtjen e shëndetit të njeriut përmes ndryshimit të sjelljes dhe zbatimit të politikave dhe praktikave të zhvillimit të qëndrueshëm.
Cilësia e ajrit në Kosovë është shumë e keqe, shpesh duke e bërë të pasigurt për disa grupe njerëzish që të dalin jashtë, veçanërisht gjatë dimrit, kur Prishtina vazhdimisht renditet ndër qytetet më të ndotura në botë.
Është e qartë se këto probleme rrjedhin nga burime të shumta, njëra prej të cilave është përdorimi i paqëndrueshëm i burimeve natyrore. Emetimet që rrjedhin nga prodhimi i energjisë dhe flota e vjetruar e transportit janë duke ndikuar që mijëra njerëz të vuajnë nga sëmundjet respiratore dhe vdekjet e parakohshme. Prandaj, sjellja jonë ndaj mënyrës se si i përdorim burimet natyrore dhe si e trajtojmë mjedisin duhet të ndryshojnë menjëherë.
Qeveria duhet të ndërmerr masa, por gjithashtu edhe secili prej nesh. Gjithësecili nga ne duhet të ketë angazhim vetanak dhe të veprojë për të krijuar një mjedis më të shëndetshëm për jetesë. Institucionet e Kosovës kanë nënshkruar vullnetarisht Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Agjendën 2030, brenda të cilit mjedisi luan një rol shumë të rëndësishëm, jo vetëm në kontekstin e ruajtes së jetës në tokë, por edhe në parimin që redukton pabarazitë shoqërore.
Sot ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të krijojë të gjitha kushtet e nevojshme duke zbatuar politikat e detyrueshme në përmirësimin e mjedisit në Kosovë.
Kjo deklaratë mbështetet nga subjektet e mëposhtme:
Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë
Ambasada e Suedisë në Prishtinë
Instituti për Politika Zhvillimore
Balkan Green Foundation
Instituti GAP
Grupi për Studime Juridike dhe Politike
Programi Zhvillimor i Kombeve të Bashkuara