Më datë 1 qershor 2021, Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë (KSDW) nisi ditën e parë të konferencës që trajtoi temën “Dekarbonizimi – Klima, Energjia dhe Mobiliteti” me 2 Panele Diskutimi.
Paneli 1 “Rruga e Balkanit drejt tranzicionit të drejtë energjetik”
Paneli i parë diskutues ishte “Rruga e Balkanit drejt tranzicionit të drejtë energjetik”. Paneli mblodhi në një hapësirë Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Menagjerin Regjional në AKUO Energy, Arbnor Kastrati, dhe Drejtorin e Programit dhe Hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), Dardan Abazi. Ndërkaq përtej ekranit u bashkangjit edhe Këshilltarja për Energji për Rajonin e Evropës Juglindore në BankWatch, Pippa Gallop. Paneli u moderua nga Rinora Gojani, Menaxhere e Programit në Balkan Green Foundation (BGF).
Në fjalën hyrëse, znj. Gojani theksoi se tranzicioni i rajonit ka fituar rëndësi të madhe në nivel të politikave kombëtare, por edhe në ato të BE-së, si pjesë e synimit për trajtimin e efekteve të ndryshimeve klimatike. Sipas znj. Gojani i ashtuquajturi tranzicion i drejtë energjetik është veçanarisht i rëndësishëm për Kosovën, sepse pothuajse e gjithë energjia e saj vjen nga qymyri dhe një numër i konsiderueshëm i njerëzve janë të punësuar në sektorin e qymyrit. Institucionet e Kosovës për një kohë të gjatë kanë investuar në ndërtimin e nje termocentrali të ri me qymyr, kështu duke humbur kohë që shteti të angazhohet për përgatitjen e një tranzicioni të drejtë energjetik. Gjithashtu, znj. Gojani tha se KSDW është platformë e cila shërben drejtpërdrejtë si shkëmbim rekomandimesh dhe ofron rrugëzgjidhje të qarta për zhvillim të qëndrueshëm.
Ministrja Rizvanolli tha se sektori i energjisë ka sfidat të mëdha dhe serioze, si pasojë e kapaciteteve me qymyr të cilat janë të vjetra dhe jo efiçiente. “Jemi në një situatë kur nga neglizhenca, vendimet e gabueshme dhe tërheqja nga to për 20 vitet e fundit na kanë sjellë në një situatë ku gjithçka është urgjente dhe vendimet duhen të merren shpejt. Këto vendime janë serioze dhe i ndikojnë gjeneratat e ardhshme”, përkufizoi Ministrja Rizvanolli. Në nivel vendi, Ministrja theksoi se bashkëpunimi me Shqipërinë dhe bashkërendimi i politikave dhe rregullave të tregut me Shqipërinë është tejet i rëndësishëm për ne si shtet. Komplementariteti me Shqipërinë mund të jetë kyç për ti shfrytëzuar mundësitë për kapacitetet e balancimit të Shqipërisë që vijnë nga kapacitetet hidro të tyre dhe këto lidhen ngushtë me kapacitetet tona për të integruar kapacitete më të mëdha të BRE-ve në të ardhmen, tha znj, Rizvanolli mes tjerash.
Dardan Abazi nga INDEP u shpreh se ndihet i inkurajuar me fjalimin e Ministrjes Rizvanolli, por se mendon se gjëja e parë që duhet të bëjmë ne si shtet është të dakordohemi për destinacionin tonë. Masat që mund të merren sipas z. Abazi janë taksimi i ndotësve, menaxhim më i mirë i taksave të dedikuara ekologjike, taksim i pajisjeve joefiçiente, të hiqen taksat për vetura të reja dhe ato hibride, promovim i efiçiencës së energjisë dhe masave efiçiente, reduktim i emetimeve dhe masa incentive që qytetarët të drejtohen kah burimet e ripërtëritshme. Shtuar, z. Abazi bëri thirrje për gjithëpërfshirje të shoqërisë civile në proceset vendimmarrëse energjetike dhe gjithashtu propozoi që të miratojmë Ligjin për Burimet e Ripërtëritshme, i cili më pastaj do të i qartësonte kompetencat mes akterëve. Këto masa, sipas z. Abazi do të sillnin reformë energjetike në vend dhe që vendi të integrohet në treg evropian.
Nga ana tjetër, z. Kastrati bëri një paralele mes sektorit të energjisë dhe pandemisë COVID. Ai reflektoi se masat që u ndërmorrën për të parandaluar pandeminë u kundërshtuan nga të gjithë, por dolën masat më të dobishme. Ngjashëm, edhe investimet në BRE nuk po pranohen lehtë, por edhe këto janë masat e vetme që sigurojnë të ardhme. Z. Kastrati u shpreh se për sektorin që ai përfaqëson, atë biznesor, është e domosdoshme që edhe ata të përfshihen në planet e Qeverisë për investime në energji dhe që të kenë hapësirë për të dhënë komente. Sipas z. Kastrati, përfshirja e sektorit privat potencialisht do të siguronte edhe një kosto më të lirë të energjisë.
Znj. Gallop tha se vendimet për energjinë janë urgjente për fazën në të cilën sektori i energjisë ndodhet në Kosovë. Sipas znj. Gallop, dekarbonizimi duhet të arrihet deri në vitin 2050 dhe se Kosova duhet të baraspeshojë rrezikun që i kanoset nga qymyri në të gjitha aspektet dhe se vendi duhet të parashohë vendimet që do ti marrë. Meqënëse sektori i energjisë po ndryshon shpejtë, për fund znj. Gallop porositi që Kosova të mendojë mirë para se të investojë në gaz, duke qenë se gazi ka shumë mundësi që të dalë shpejtë nga përdorimi.
Video e plotë e këtij diskutimi ndodhet në këtë vegëz: https://www.facebook.com/KSDWeek/videos/146808120719807
Paneli 2 – “Digjitalizimi i efiçiencës së energjisë –Mundësitë dhe sfidat për Kosovën”
Paneli i dytë trajtoi temën e “Digjitalizimit të efiçiencës së energjisë – Mundësitë dhe sfidat për Kosovën“, i cili u moderua nga znj. Learta Hollaj, Këshilltare e Presidentes së Republikës së Kosovë për Zhvillim të Qëndrueshëm, ndërsa panelistë ishin Admir Shala, Drejtor Menagjues i Fondit Kosovar për Efiçiencë të Energjisë, Avni Sfishta, Udhëheqës i Ekipit në GIZ Kosova, dhe Melinda Bajrami, nga Agjencia për Efiçiencë të Energjisë, kurse virtualisht u bashkangjit edhe Andrei Covatariu, Pjesëtar i Task Forcës për Digjitalizimin e Energjisë pranë Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara.
Znj. Hollaj parafrazoi se pandemia na ka imponuar që qeveritë dhe sektori privat të identifikojnë forma të mençura dhe inovative për përdorimin dhe menagjimin e resurseve natyrore. Në këtë drejtim, edhe efiçienca e energjisë përfaqëson të gjitha format e energjisë që nuk ka nevojë të prodhohen. Efiçienca e energjisë konsiderohet si një nga top prioritetet strategjike. Ndërlidhur, edhe digjitalizimi i efiçiencës së energjisë konsiderohet si formë për të arritur tranzicionin energjetik.
Znj. Bajrami përkufizoi se si Agjencia për Efiçiencë të Energjisë punon drejt sigurimit të digjitalizimit të efiçiencës së energjisë. Ajo tha se programet e kësaj Agjencie janë të digjitalizuara dhe zbatojnë masat efiçiente të energjisë. Duke qenë se aspekti teknik për digjitalizimin e efiçiencës së enegjisë është përmbushur, ajo tha se Kosova ende është në pritje të Udhëzimit Administrativ i cili më pastaj do të sqaronte procesin se si këto masa të funksionalizohen në të gjitha komunat. “Kosova i raporton Komitetit të Energjisë për arritjen e targeteve për efiçiencën e energjisë dhe se Kosova është në fakt një hap para rajonit”, tha znj. Bajrami.
Drejtori Menagjues nga Fondi Kosovar për Efiçiencë të Energjisë, z. Shala tha se në Kosovë sektori rezidencial paraqitet si mundësia më e madhe dhe më e mirë për kursim të energjisë. Gjithashtu, ka edhe shumë objekte në Kosovë që shfrytëzojnë shumë energji në mënyrë joporcionale me funksionin e tyre. Sa i përket Fondit, z. Shala tha se Fondi vepron kujdesshëm dhe ndërmarrin disa hapa para se të vendosin për digjitalizim të objekteve. Edhe pasi Fondi ndërmerr investime, ata monitorojnë dhe verifikojnë rezultatet e investimeve për të pasur një pasqyrë të saktë të rezultateve. Më pastaj, Fondi do ta zgjerojë fushëveprimtarinë e tij në sektorin privat dhe më gjerë, u shpreh z. Shala.
Nga GIZ Kosova, z. Sfishta tha se digjitalizimi luan rol të rëndësishëm në hartimin e politikave të vendit, por edhe të monitorimit të konsumit të energjisë. Ai tha se digjitalizimi i pronave komunale në nivel vendi, proces ky i cili ka përfunduar tashmë, mund të shërbejë si sinjalizues se cilat objekte konsumojnë më shumë energji dhe si rezultat, të udhëzojë se në cilat objekte duhet të implementohen masat e efiçiencës së energjisë. Gjatë këtij dhe vitit të ardhshëm, 2 platformat e digjitalizimit do tëintegrohen si rezultat i mbështetjes së GIZ dhe sistemi që do të ndërtohet do të quhet Regjistri Kombëtar për Efiçiencë të Energjisë. Ky sistem kompleks do të lehtësojë jashtëzakonisht shumë gjendjen në terren sa i përket konsumit të energjisë në nivel lokal, përfundoi z. Sfishta.
Nga Task Forca për Digjitalizimin e Energjisë pranë Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara, z. Covatariu tha se Task Forca që përfaqëson ai zgjedh energjinë e qëndrueshme si mënyrë afrimi dhe arritjes së objektivave që OKB i ka si tërësi. Qëllimi kryesor i Task Forcës është ngritja e mundësive të ndryshme si opsione drejt arritjes së digjitalizimit të sektorit të energjisë. Në këtë drejtim, kjo Task Forcë gjithashtu monitoron edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, dhe se ata janë të hapur për të ofruar ekspertizën.
Për fund, u konkludua se digjitalizimi i sektorit të energjisë në përgjithësi dhe efiçiencës së energjisë specifikisht, është sfidues për të gjithë botën jo vetëm për ne. Pavarësisht, shumë modele janë dëshmuar të suksesshme dhe efektive dhe Kosova mund ka praktika të mira të mjaftueshme dhe modele për të ndjekur, në mënyrë që digjitalizimi i sektorit të bëhen në mënyrën e duhur.
Video e plotë e këtij diskutimi ndodhet në këtë vegëz: https://www.facebook.com/InstitutiINDEP/posts/4236170749774203
Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë (KSDW), organizohet që nga viti 2018 nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Zyra e Përfaqësuesit Special në Kosovë, GIZ, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Balkan Green Foundation (BGF). KSDW mbetet ngjarja e vetme më e madhe në Kosovë në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm. Edicioni i katërt i Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm (KSDW) 2021 mbahet prej datës 31 maj deri më 11 qershor 2021.
Për më shumë, ndiqni KSDW në rrjete sociale në @KSDWeek dhe ksdw.rks-gov.net.