Dita 2 e Konferencës e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë (KSDW): Ekonomia Qarkore – Prodhimi dhe Konsumi i Qëndrueshëm – Pastrimi i ajrit, ujit dhe tokës

Më datë 2 qershor 2021, Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë (KSDW) vazhdoi me ditën e dytë të konferencës që trajtoi temën “Ekonomia Qarkore – Prodhimi dhe Konsumi i Qëndrueshëm – Pastrimi i ajrit, ujit dhe tokës” me 2 Panele Diskutimi.

Paneli 1 “Menaxhimi i mbetjeve mjekesore në Kosovë gjatë periudhës së pandemisë”

Paneli i parë diskutues ishte “Menaxhimi i mbetjeve mjekësore në Kosovë gjatë periudhës së pandemisë”. Paneli mblodhi në një hapësirë Zëvendësministren e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukurës, Linda Çavdarbasha, Drejtorin e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morinën, dhe drejtorin e Kompanisë Regjionale e Mbeturinave në Pejë, Nexhat Abdullahun. Virtualisht u lidh edhe Dr. Heinz Eduardo Vest, ekspert i menaxhimit të mbeturinave mjekësore. Ndërsa paneli u moderua nga Rudina Qerimi, Këshilltare për Planifikim Hapësinor në GIZ.

Në fjalën hyrëse, znj. Qerimi theksoi se viti 2020 ka qenë vit sfidues dhe me pasoja të mëdha dhe dëme edhe në ekonomi edhe në njerëz. “Menaxhimi i mbetjeve mjekësore gjatë pandemisë kërkon vëmendje dhe angazhim nga institucionet e duhura”, tha znj. Qerimi.

Zëvendësministrja e MMPHI, znj. Çavdarbasha, tha se Ministria është partnere e këtij organizimi dhe se janë të lumtur që zhvillimi i qëndrueshëm po merr vëmendje. Nga ana e Ministrisë që ajo përfaqëson, ajo tha se pandemia ka ndikuar në rritjen e madhe të mbeturinave mjekësore. “Pandemia na ka gjetur pa ndonjë objekt apo magazine për grumbullimin e këtyre mbeturinave”. Por, tutje znj. Çavdarbasha shpjegoi se Ministria ka marrë hapa në këtë drejtim. “MMPHI ka ndërtuar 7 impiante në tërë territorin e vendit për sterilizimin e këtyre mbetjeve. Deri tani nuk është ndërtuar ndonjë strukturë për djegien e mbeturinave që do t’i eliminonte deri në 90% mbeturinat dhe të kontribuone në një mënyrë jetese më të mirë për të gjithë”, përfundoi Zëvendësministrja.

Ilir Morina nga AMMK në fjalën e tij tha se në Kosovëështë krijuar një mekanizëm për ndarjen e mbeturinave në vitin 2004, por se ky sistem nuk është përdorur dhe mbeturinat kanë përfunduar të grumbulluara në ujë. “Sipas ligjit, të gjitha qendrat mjekësore publike dhe private duhet t’i pranojnë mbeturinat mjekësore, t’i sterilizojnë dhe pastaj të raportojnë në periudha të ndryshme, në mënyrë që këto të dhëna të të publikohen në nivel nacional”, tha z. Morina.

Sipas z. Abdullahu nga Kompania Regjionale për Menaxhimin e Mbeturinave në Pejë, menaxhimi i mbetjeve mjekësore mbetet problem, sidomos trajnimi i kapaciteteve njerëzore për t’i mbedhur këto mbeturina. Ai tha se kompania që ai përfaqëson bën mbledhjen e të gjitha mbeturinave, përfshirë ato mjekësore, por bën apel për kujdes më të shtuar nga qytetarët pasi 6 punëtorë të kompanisë së tij janë infekuar si pasojë e infektimit me shiringa të infektuara.

Vest, i cili u lidh virtualisht në konferencë, tha se për tëkuptuar më mirë termin e mbetjeve mjekësore, duhet të sqarojmë se ka disa lloje të këtyre mbetjeve. Por, pavarësisht, të gjitha mbetjet bëhen të rrezikshme kur ato infektohen me mjete që vijnë nga sëmundjet infektuara. Sipas z. Vest, “është shumë me rëndësi këto mbeturina të ndahen në burim dhe të punohet shumë gjithashtu në drejtim të rritjes së vetëdijës te qytetarët për rrezikun që vjen nga mbeturinat mjekësore.”

Video e plotë e këtij diskutimi ndodhet në këtë vegëz: https://www.facebook.com/207179900007681/videos/139589198232315

Paneli 2 – “Ekonomia Qarkore: Mundësitë Ekonmike për punësim dhe rritje”

Paneli i dytë trajtoi temën e “Ekonomia Qarkore: Mundësitë Ekonomike për punësim dhe rritje”. Paneli u moderua nga Indira Kartallozi, Drejtoreshë Ekzekutive e Sustainability Leadership Kosovo (SLK), ndërsa panelistë ishin: Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Plaifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Astrit Panxha, nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, Ariel Shabani, nga Kompania KIVO, dhe virtualisht u lidh edhe Teodora Andreeva nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë.

Znj. Kartallozi nisi panelin diskutues me një përmbledhje të gjendjes me ekonominë qarkore, sfidat dhe mundësitë që ky sektor ka në Kosovë. Duke qenë që ekonomia qarkore nuk është term i ri, ajo kujtoi se ekonomia qarkore është praktikuar që moti me praktika të ndryshme.

Ministria Aliu tha se instituconet e mëhershme në Kosovë nuk kanë punuar mjaftueshëm për vetëdijësimin e popullatës në aspektin e rëndësisë së ekonomisë qarkore, prandaj rrjedhimisht, tranzicioni nga ekonomia lineare në atë qarkore është proces i vështirë. Pavarësisht, z. Aliu u shpreh se “Kosova duhet të ndërtoj infrastrukturë e cila ndihmon në riciklim. Vetëdijësimi dhe promovimi i qytetarëve drejtë riciklimit. Ministria do të përpilojë një udhëzim administrativ që do të ndaloë degradimin e madh të natyrës”.

Virtualisht, znj. Andreeva u shpreh se komponenta prej më kryesoreve është fuqizimi i konsumatorëve. “Legjislacioni aktual duhet të harmonizohet me legjislacionin evropian, në mënyrë që të arrrihen targetet e vendosura nga marrëveshje të ndryshme dhe se nuk duhen harruar partnerët e tjerë  nga Ballkani Jugperëndimor, të cilët tanimë kanë nënshkruar edhe Agjendën e Gjelbër, e një ndër komponentat kryesore të kësaj Agjende ësht komponenta e ekonomisë qarkore.” Sipas znj. Andreevaa, puna me konsumatorët dhe përfshirja aktive e tyre në këtë proces mund të rezultojë si formë e përshpejtimit të integrimit të ekonomisë qarkore në ekonomi në masë të madhe.

Nga sektori privat, z. Shabani nga Kompania Kivo tha se ndotësit më të mëdhenj në Kosovë janë faktorë tjerë – ndërtimet, më shumë se qeset e plastikës. “Në mënyrë që të kalohet nga përdorimi i qeseve të plastkës në ato të letrës duhet të intervenohet nga shteti me mekanizma të ndryshëm. Ne kemi prodhues që importojnë mbeturina nga Maqedonia e Veriut dhe vendet fqinje për riciklim, sepse në Kosovë është e vështirë të kemi qasje në mbeturina”, shpjegoi z. Shabani rreth vështirësive që kompania e tij has deri të arrijë te riciklimi i plastikës për të prodhuar qese të ricikluara.

Video e plotë e këtij diskutimi ndodhet në këtë vegëz: https://www.facebook.com/207179900007681/videos/755750871772991

Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë (KSDW), organizohet që nga viti 2018 nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Zyra e Përfaqësuesit Special në Kosovë, GIZ, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Balkan Green Foundation (BGF). KSDW mbetet ngjarja e vetme më e madhe në Kosovë në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm. Edicioni i katërt i Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm (KSDW) 2021 mbahet prej datës 31 maj deri më 11 qershor 2021.

Aktivitetet e sivjetme po organizohen paralelisht me EU Green Week.

Për më shumë, ndiqni KSDW në rrjete sociale në @KSDWeek dhe ksdw.rks-gov.net.