Dita Ndërkombëtare e Gruas, 8 Marsi

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsit, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) lanson sot kampanjën vetëdijesuese që synon të ngrisë zërin për të drejtat e barabarta të grave, në kuadër të Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe realizuar nga Advocacy Training and Resource Center – ATRC.

Pabarazia e përfaqësimit gjinor në Kosovë, veçanërisht në institucionet vendimmarrëse, mbetet një pengesë serioze. Duke pasur parasysh sfondin patriarkal të shoqërisë së Kosovës dhe stereotipet gjinore të ndërtuara ndër vite, gratë ende konsiderohen më pak të afta se meshkujt, posaçërisht kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen në qeverisjen e shtetit dhe ekonominë e vendit. Raportet e deri tanishme kanë sugjeruar se shkollimi i ulët dhe mentaliteti janë dy faktorë kryesorë që kontribuojnë në këtë situatë. Ndërsa nga aktivitetet e zbatuara gjatë muajit të kaluar dalin edhe shumë faktorë të tjerë të cilët janë përgjegjës për këtë situatë krahas sfidave kulturore, si p.sh. ato politike, juridike etj.

Këtë ditë dhe çdo ditë tjetër, le të përkushtohemi që të krijojmë hapësirë për mundësi të barabarta për të gjithë. Është koha kur duhet të vlerësojmë punën që është bërë deri më tani në këtë drejtim, mirëpo është po ashtu momenti i duhur të reflektojmë mbi atë se sa shumë ende kemi për të bërë që barazia gjinore të jetë një standard i konsoliduar në shoqërinë tonë. Fuqia e gruas është e pafund dhe ne do të përkushtohemi dita ditës që të shohim të mirat që dalin nga një angazhim gjithnjë më aktiv i gruas në çështje të përditshme shoqërore dhe zhvillimore.

Për të parë videon e plotë klikoni KËTU.