Efiçienca e energjisë kursen paratë, rritë punësimin dhe mbron ambientin!

Instituti për Politika Zhvillimore organizoi konferencën e titulluar ”Efiçienca e Energjisë për Zhvillim”. Konferenca shënon fundin e Javës së Efiçiencës së Energjisë që është organizuar në kuadër të projektit “Mbështetje e sektorit publik dhe privat në implementimin e masave të efiçiencës së energjisë”. Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, bizneseve, shoqërisë civile dhe akter të tjerë të interesuar.

Në hapje të konferencës, z. Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv në INDEP, theksoi që qëllimi kryesor i projektit ishte të edukojmë bizneset dhe qytetarët për përfitimet nga aplikimi i masave të efiçiencës së energjisë. “Shuma e financimit të projekteve ka qenë simbolike, më së shumti 2500 euro, por vetëdijesimi i bizneseve dhe nxitja e tyre për të investuar janë sukseset më të mëdha të projektit” – theksoi z. Ejupi.  Ai gjithashtu informoi të pranishmit që përfitues të grantit kanë qenë projekte që kanë investuar në masa të ndryshme të efiçiencës si: projekte të ndriqimit efiçient, izolimit, pajisjeve efiçiente dhe paneleve solare. ”Nga këto grante kanë përfituar gjithsej 48 biznese por në implementim e sipër më shumë se 200 biznese në 5 komuna kanë përfituar nga sesionet informuese dhe trajnimet që kemi mbajtur në lidhje me efiçiencën e energjisë” – tha z. Ejupi.

Nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë që është edhe financuese e projektit, foli z. Chlad vlerësoi që efiçienca e energjisë është një faktor kyç që kontribuon në rritje ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm dhe se me investime në ndërtesa efiçiente ose pajisje efiçiente do të rritet konkurrueshmëria dhe kualiteti i produkteve dhe shërbimeve. “Jam i lumtur të dëgjoj që ky projekt ka kontribuar në rritjen e vetëdijes për efiçiencën e energjisë dhe se bizneset kanë pasur mundësi të implementojnë masa të efiçiencës” – u shpreh ai. Ai shprehu kënaqësinë që Zyra e Bashkimit Evropian, bashkë me partnerët lokal si INDEP, kanë arritur të fusin efiçiencën e energjisë në agjendë qoftë të politikëbërësve, qoftë të bizneseve dhe shoqërisë në përgjithësi.

Në konferencë morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale. Z. Bedri Dragusha, Kryeshef i Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, përgëzoi INDEP-in për projektin e ndërmarrë duke nënvizuar rëndësinë e komponentës së informimit dhe vetëdijesimit që ka qenë në qendër të prioriteteve të projektit. “Të dhënat e INDEP në lidhje me kursimet dhe përfitimet e nxjerra nga ky projekt do t’i përfshijmë në Raportin e Progresit të Planit të Dytë Afatmesëm të Efiçiencës së Energjisë që presim ta publikojmë në Qershor” – theksoi z. Dragusha. Në tryezë mori pjesë edhe z. Dardan Sejdiu, nënkryetar i Komunës së Prishtinës. Ai në fjalën e tij informoi të pranishmit për masat dhe projektet që ka ndërmarrë komuna duke veçuar projektin e ngrohjes përmes koogjenerimit, ndriçimin publik efiçient që deri në fund të vitit 2016 pritet të shtrihet në 110 kilometra të ndriçimit përmes llambave LED, pastaj përpilimin e SEAP-it (Sustainable Energy Action Plan) dhe inkuadrimin e komunës në Iniciativën Blumberg. Që të gjitha këto masa pritet që jo vetëm t’i rrisin të hyrat komunës por edhe të thithin fonde të cilat sipas z. Sejdiu do të investohen në projekte të efiçiencës së energjisë.

Para të pranishmëve, në konferencë foli edhe z. Bahnmueller ekspert i menaxhimit energjetik dhe planifikimit nga Austria. Në prezantimin e titulluar “Efiçienca e Energjisë në Ndërtesat Publike, një Sfidë për Pushtetin Lokal”, z. Rainiri paraqiti shembullin e qytetit të Salzburgut në të cilin ishte involvuar edhe personalisht. “Nevojitet një sistem i menaxhimit të konsumit, humbjeve dhe kursimit të energjisë. Ky sistem duhet të jetë i decentralizuar në mënyrë që për shembull shkollat në mënyrë autonome të menaxhojnë buxhetin dhe sistemin energjetik. Kjo do t’i stimulonte në ruajtjen e energjisë dhe aplikimin e masave të efiçiencës” – theksoi ai. Në prezantimin e tij, z. Bahnmueller tha që qyteti i Salzburgut ka arritur të përfitojë më shumë se gjysmë milioni euro në vit nga aplikimi i masave të efiçiencës së energjisë.

Pjesë e konferencës ishin edhe një pjesë e konsiderueshme e bizneseve që kanë përfituar grante nga ky projekt. Znj. Luljeta Belegu-Demjaha nga A-Design prezantoi ecurinë e projektit për vendosjen e strukturës mbështetëse për izolim natyral të objektit të kompanisë së saj. “Pas investimit, ne më në fund e hoqëm tërësisht kondicionerin e zhurmshëm dhe joefikas, arritëm të krijojmë një ambient pune më të përshtatshëm dhe rritëm komoditetin njerëzor dhe faturat i kemi dukshëm më të ulta” – theksoi ajo në prezantimin e përvojës së kompanisë së saj nga ky projekt. Edhe pjesëmarrës të tjerë nga bizneset përfituese raportuan për ndryshime shumë pozitive në faturat mujore të energjisë por edhe në performancën e bizneseve të tyre. Ata treguan për përvojën e mirë që kanë pasur gjatë gjithë procesit të implementimit të projektit, në komunikimin që kanë pasur me INDEP-in dhe në informatat që kanë marrë nga ky projekt.” Ky projekt na ka futur në lojë dhe tashmë po duam të investojmë edhe në masa të tjera më të mëdha”- ishte komenti i përfaqësuesit të Bonton-it, një tjetër përfitues i grantit.

Në diskutimin e hapur, përfaqësues të institucioneve tjera dhe të organizatave të shoqërisë civile ndanë qëndrimin e përbashkët që informimi mbi rëndësinë e masave të efiçiencës dhe shtimi i projekteve të ngjashme është faktor kyç në mbërritjen e caqeve që Kosova i ka vënë vetës por edhe në nxitjen e zhvillimit ekonomik. Në këtë kuptim, niveli komunal u tha se mund të luaj rol të pazëvendësueshëm. “Duhet punuar në trajnimin e stafeve komunale në mënyrë që të rritet njohuria e tyre dhe efikasiteti në punën e tyre” – tha z. Ilir Morina, Kryeshef i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. U kërkuan më shumë politika nxitëse nga ana e komunave që nga dhënia e lejeve ndërtimore e deri tek mbledhja e tatimit në pronë.

Konferenca erdhi si rezultat i përmbylljes së projektit “Mbështetje e sektorit publik dhe privat në implementimin e masave të efiçiencës së energjisë”. Projekti përfshiu trajnime të më shumë se dyqind përfaqësuesve të bizneseve, zyrtarëve komunal dhe të organizatave të shoqërisë civile, dhënie të granteve në vlerë prej njëqind mijë euro për dyzet e tetë biznese dhe kursim të mbi njëzet e pesë mijë eurove në fatura vjetore të energjisë elektrike. Projekti u financua dhe u mbështet nga Komisioni Evropian, përkatësisht Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.