Emërimet në bordet e ndërmarrjeve publike janë ligjërisht të ndaluara dhe moralisht jo legjitime

213 0

Emërimet politike në bordet e ndërmarrjeve publike janë jolegjitime dhe të jashtëligjshme. Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), shprehin shqetësimin e tyre për vendimet e fundit të Qeverisë. Logjika e politizimit të të gjitha sferave të qeverisjes përmes ndarjes të të gjitha pozitave në mes të anëtarëve të koalicionit dëmton jo vetëm pavarësinë menaxheriale të këtyre ndërmarrjeve, por ngulfatë zhvillimin e tyre në funksion të ofrimit të shërbimeve publike dhe rritjes së ekonomisë së vendit. Politizimi i bordeve gjithashtu është në kundërshtim me parimet e qeverisjes korporative të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (ang.Organisation for Economic Co-operation and Development-OECD) në të cilat bazohet Ligji për Ndërmarrjet Publike në Kosovë, dhe të cilat parime kërkojnë që shteti si pronar i ndërmarrjeve publike të sigurojë pavarësinë e bordeve dhe objektivitetin e tyre.

Parimet diskriminuese të vendosura që në marrëveshjen e koalicionit në mes të PDK-së dhe LDK-së parashihnin ndarjen e barabartë të pozitave dhe këto pozita, sipas pikës 8 të kësaj marrëveshje, përfshinin të gjitha pozitat e themeluara nga Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Ndërmarrjet publike nuk mund të jenë asesi pjesë e marrëveshjes politike, jo vetëm sepse kjo është moralisht e gabuar, por edhe sepse është ligjërisht e ndaluar.

Me rastin e emërimit të anëtarëve të bordeve të agjencive të ndërmarrjeve publike, kjo Qeveri po kryen një veprim që përveçse jo legjitim, edhe të jashtëligjshëm. Ligji Nr.03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, në nenin 17, pika 2 të tij thotë:

17.2 Të gjithë drejtorët përveç KE duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse:

k) është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike;

Kjo dispozitë ligjore, e vendosur në atë kohë me insistimin e shoqërisë civile, po shkelet me vendimet e fundit të qeverisë Mustafa. Është dëshpëruese që në këto vendime ne gjejmë emra që kanë garuar nën petkun politik në zgjedhje apo që mbajnë poste udhëheqëse në PDK dhe LDK. Shfrytëzimi i pushtetit për të rehatuar militant partiak në mënyrë të jashtëligjshme dëmton: a) performancën e ndërmarrjeve publike duke ulur efiçencën e tyre nga rritja e “artificiale” e numrit të të punësuarve; b) parimet e qeverisjes së mirë; dhe c) trajtimin e barabartë të pjesëmarrësve në konkurs.

Në faqen zyrtare të Partisë Demokratike të Kosovës, në listën e Këshillit Drejtues figuron emri i Naser Canollit që tani, me vendimin nr. 04/48 të mbledhjes nr. 48 të Qeverisë së Republikës së Kosovës është emëruar anëtar i bordit të Aeroportit të Gjakovës. Këshilli Drejtues, në bazë të Statutit të Partisë Demokratike është “organi më i lartë i partisë“. Rrjedhimisht, statusi juridik i z. Naser Canolli hynë nën dispozitën e nenit 17.2, pika (k), që ia pamundëson emërimin e tij në këtë pozitë. Me të njëjtin vendim, Qeveria ka zgjedhur edhe z. Nuri Bahtjari si anëtar të këtij bordi, i cili në zgjedhjet lokale të 2013-tës ka garuar për Asamblenë në Prishtinë për Partinë Demokratike të Kosovës me numër 28 në listë. Në bordin e Aeroportit të Gjakovës po ashtu është emëruar z. Zenun Shala i cili po ashtu nëzgjedhjet lokale 2013 ishte kandidat për Kryetar të Komunës së Junikut nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në këtë bord po ashtu është emëruar znj. Nora Gola, e afërt e ish kandidatit të LDK për kryetar të Gjakovës z. Luan Gola. Megjithatë, për dallim nga rastet e mësipërme, ligjërisht afërsia familjare nuk përbën shkelje të ligjit edhe pse favorizimi ka shkelur parimin e barazisë në konkursin publik. Rast të ngjashëm përbëjnë edhe znj. Albiona Maloku dhe z. Mërgim Lushtaku të emëruar në bordin e ndërmarrjes Ibër Lepenc.

Në bordin e ndërmarrjes Hekurudhat e Kosovës – INFRAKOS janë vendosur po ashtu dy anëtar në kundërshtim me Ligjin Nr.03/L-087 për Ndërmarrjet Publike. Z. Milos Dimic kishte kandiduar dhe zgjedhur në zgjedhjet e vitit 2013 në komunën e Graçanicës. Ngjashëm me të, z. Nexhat Dedia kishte marrë afro 400 vota për tu bërë asamblist i Partisë Demokratike të Kosovës në komunën e Mitrovicës së Jugut. Këto dy figura janë tërësisht politike dhe bien ndesh me dispozitat e Ligjit Nr.03/L-087 përkatësisht nenit 17.2 (k).

Edhe në bordin e ndërmarrjes publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) janë vënë figura politike. Me vendimin nr. 07/47 të Qeverisë Republikës së Kosovës janë zgjedhur anëtarët e këtij bordi, ndër ta edhe znj. Drita Konxheli, z. Musa Misini dhe znj. Anita Cucovic, dhe që të tre kishin garuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014. Znj. Drita Konxheli dhe z. Musa Misini ishin kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e vitit 2014 në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërsa znj. Anita Cucovic në po të njëjtat zgjedhje, kishte garuar në listën e koalicionit VAKAT. Emërimet e tyre janë po ashtu rezultat i aplikimit të kriterit politik, në kundërshtim me Ligjin. Këto vendime janë vazhdimësi e politikës së emërimeve politike, e cila ishte prezent edhe në qeverisjen e kaluar kur për shembull, znj. Pranvera Dobruna ishte zgjedhur anëtare e bordit të KEK-ut edhe pse kishte më pak se 36 muaj që kishte garuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010.

INDEP, Instituti GAP dhe GLPS, shprehin shqetësimin e thellë dhe kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të anulojë vendimet e marra dhe të shkarkojë të gjithë kandidatë që janë emëruar në kundërshtim me nenin 17 pika 2 e Ligjit Nr.03/L-087 për Ndërmarrjet Publike dhe të respektojë rregullat e konkursit në pajtim me Ligjin. Emërimet politike janë në kundërshtim me normat demokratike të qeverisjes së mirë dhe dëmtojnë zhvillimin e këtyre ndërmarrjeve publike dhe zhvillimit ekonomik si një nga prioritete e proklamuara të kësaj qeverie

Related Post