Prishtinë, 8 korrik 2019 – Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), sot mbajtën konferencë për media për të publikuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për padinë e organizatave ndaj Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) në shkurt të vitit 2017.
Kërkesëpadia është aprovuar si e bazuar dhe obligon Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të lejojë qasje në: 1. Thirrjen finale për aplikim e cila i është dërguar kompanive të parakualifikuara për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’, si dhe qasje në 2. Ndryshimet në pakon tenderuese që kanë ndodhur nga thirrja e parë për parakualifikim deri në përzgjedhjen e ofertuesit dhe arsyet për ndryshimet në pako. Këto dokumente ishin kualifikuar nga MZHE si dokumente konfidenciale në dy përgjigje ndaj kërkesave tona.
Rinora Gojani nga BGF tha se: duke pasur parasyshë kompleksitetin e gjithë procesit për jetësimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ dhe koston multi-milionëshe të ndërtimit të këtij termocentrali është e rëndësishme që MZHE të jetë transparente në lidhje me këtë projekt. Procesi për jetësimin e termocentralit ka vazhduar përkundër problemeve dhe ndryshimeve të shumta, ndërsa publiku i gjerë nuk di asgjë rreth këtij procesi.
Agron Demi nga Instituti GAP tha se ‘edhe pse kemi dy raste gjyqësore të fituara nuk është dënuar askush, nuk ka zyrtarë të cilët mbahen përgjegjës për shkelje të ligjit në qasje në dokumente publike, nuk dënohet as Ministria ashtu siç parashihet me ligjin për qasje në dokumente publike. Vetëm lejohet qasja në këto dokumente të cilat edhe ashtu janë pothuajse të vjetra. Është e rëndësishme që këto të bëhen publike edhe pse është hy në një proces tjetër tashmë, për shkak se na lenë të kuptojmë sa herë është ndryshuar pakoja tenderuese dhe se a ka qenë konform ligjeve në fuqi dhe se a është respektuar strategjia e energjisë’. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që këto të bëhen publike sepse së paku një rast tjetër na dëshmon që kur dokumentet mbahen të fshehura ka mundësi të mëdha për keqpërdorim, e këtu e kam fjalën për rastin privatizimit të rrjetit të energjisë”, tha Agron Demi.
Kurse, Burim Ejupi nga INDEP, tha se është e rëndësishme që të bëhen publike dy dokumentet e kërkuara ngase në fillim kur është hapur tenderi, pakoja tenderuese kishte terme tjera dhe përmbante edhe Kosovën B. Përkundër ndryshimeve, procesi nuk u kthye në pikën fillestare që të ju mundësohet ofertimi edhe kompanive/konsorciumeve tjera, dhe si përfundim, ndoshta cmimi i ofertës do të ishte më i mirë. Kështu, kjo na lë të dyshojmë që e gjitha kjo është përgatitur për të fituar një ofertues i vetëm dhe me kushte të cilat veç është nënshkruar kontrata, tha Burim Ejupi.
INDEP, BGF, GAP dhe GLPS, sot kanë ri-dërguar kërkesën për qasje në këto dy dokumente zyrtare të shoqëruar me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë tek Divizioni për Komunikim me Publik në MZHE. MZHE obligohet që t’i përgjigjet me vendim kërkesave për qasje në dokumente publike brenda shtatë (7) ditëve.