Instituti për Politika Zhvillimore mbajti tryezën me titull “Vendimmarrja për investimet kapitale në komuna”. Tryeza mblodhi përfaqësues të komunave, të shoqërisë civile dhe zyrtar komunal në fushën e investimeve kapitale. Si pjesë e tryezës u prezantua edhe analiza e INDEP “Investimet kapitale në komuna dhe roli i qytetarisë aktive në përcaktimin e prioriteteve”. Të pranishmit shprehën pikëpamjet e tyre se si komunat mund të rrisin pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në vendimmarrjen për investime kapitale dhe në monitorimin e zbatimit të tyre.
Në fjalën e tij hyrëse, zyrtari për prokurim në komunën e Drenasit, z. Mehmet Rama, theksoi se një ndër sfidat dominuese në këtë departament është kapaciteti i ulët i burimeve njerëzore, kompetencë dhe përgjegjësi e të cilëve është shpallja e tenderëve me specifikat përkatëse të projektit, ndërsa menaxhimi i këtyre kontrata bëhet nga një kompani tjetër private. Për shkak të numrit të madh të projekteve në këtë komunë, problematikë vazhdon të jetë pamundësia e përfundimit në kohë e shpalljeve të tenderëve. Prandaj duke konsideruar kapacitetet e stafit aktual të Departamentit të Prokurimit në komunën e Drenasit, realizimi i projekteve është mjaft sfidues. Për ta pasur më të lehtë, “kryetari i komunës dhe departamenti i urbanizmit kanë vendosur se projektet do të ndahen në regjione”, tha z. Rama.
Nga ana tjetër, z. Dardan Abazi, hulumtues në INDEP, gjatë prezantimit të analizës “Investimet kapitale në komuna dhe roli i qytetarisë aktive në përcaktimin e prioriteteve” theksoi rëndësinë e përdorimit të mekanizmave alternativ për nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në diskutime publike dhe vendimmarrje të përbashkët. “Komunat duhet të krijojnë mekanizma të komunikimit të përditshëm me qytetarët në mënyrë që kanalet e tyre online të jenë më të klikuara dhe pjesëmarrja në diskutime të jetë më atraktive” – tha z. Abazi. Më tutje ai theksoi rolin e rëndësishëm që kanë platformat ekzistuese online siç janë investometri.com dhe të ngjashme në krijimin e këtij kanali komunikimi dhe interesimit të qytetarëve në përgjithësi. Të pranishmit u pajtuan që bashkëpunimi më i mirë në mes të përgjegjësve komunal dhe organizatave të shoqërisë civile duhet rritur në mënyrë që të promovohen më shumë mundësitë për të ndikuar në vendimmarrjen për investime kapitale.
Tryeza dhe diskutimi janë në vazhdën e implementimit të projektit “INVESTOMETRI – Më shumë transparencë dhe llogaridhënie ndaj shpenzimeve publike për investime kapitale në nivelin lokal” të financuar nga National Endowement for Democracy (NED) dhe implementuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).