Gratë në vendimmarrje – kusht kryesor për zhvillimin e demokracisë

110 0

Sot me datë 26.03.2018 Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) mbajti konferencën me temë “Gratë në vendimmarrje”. Konferenca mblodhi gra të suksesshme në institucione qendrore dhe lokale, përfaqësues të medieve, shoqërisë civile dhe qytetarë të tjerë të interesuar. Si pjesë e tryezës, u publikua edhe raporti i hulumtimit “Gratë në vendimmarrje në institucionet publike të Kosovës”.

Në fjalën e saj hyrëse, znj. Blerta Deliu-Kodra, deputete dhe kryetare e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane theksoi rëndësinë që institucionet qëndrore duhet të luajnë në ngritjen dhe fuqizimin e rolit të grave. Më tutje ajo shtoi se mekanizmat afirmativ kanë shumë rëndësi në nxitjen e pjesëmarrjes së grave në tavolina vendimmarrëse. “Nëse e keni parë në zgjedhjet e fundit, një pjesë e madhe e grave që në të kaluarën kanë hyrë në parlament përmes kuotës 30% tanimë ato kanë hyrë në konkurrencë me burrat dhe pa kuotë. Kjo tregon se kuota ka shërbyer si instrument për t’i futur gratë në politikë dhe tani ato po garojnë sukseseshëm me forca vetanake” shtoi ajo. Pjesëmarrëse në panel ishte edhe znj. Magbule Shkodra, zëvendëministre në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal. Ajo vlerësoi rolin që kanë vet gratë në avancimin e çështjeve gjinore. “Çdo ditë, secili prej nesh duhet të bëjmë diçka për të mbështetur një grua qoftë ajo kolege në punë, motër, nënë, bashkëshorte etj.” tha ajo.

Para të pranishmëve u prezantuan edhe të gjeturat e punimit “Gratë në vendimmarrje në institucionet publike të Kosovës”. Hulumtimi gjeti se megjithëse ka një progres të lehtë në pjesëmarrjen e gruas në vendimmarrje, sfidat janë të natyrave si ligjore, kulturore dhe politike. Në pozita të larta udhëheqëse nëpër ministri, numri i grave ka rënë nga 6.7% në vitin 2014 në vetëm 4.9% në vitin 2016. Gjendja është më e mirë në nivelin lokal ku në vitin 2014 pjesëmarrja e grave në pozita të larta udhëheqëse ishte vetëm 4.4% ndërsa në vitin 2016 kjo u rrit në 11.4%. Si komuna me përmirësime të dukshme u përmendën komunat e Drenasit dhe Kamenicës.

Pjesëmarrësit në tryezë patën rastin të diskutojnë mbi temën. Në diskutimet e tyre ata u fokusuan tek rritja e vetëdijësimit të shoqërisë mbi rëndësinë e trajtimit të çështjeve gjinore dhe barazisë në vendimmarrje për gratë. Ishte përfundim i përbashkët që gruaja në vendimmarrje sjellë më shumë përgjegjësi, më pak praktika korruptive dhe performancë më të lartë.
_________________________________

Kjo konferencë është mundësuar me përkrahjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID.

INDEP mbështetet në kuadër të programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe zbatuar nga Advocacy Training and Resource Center – ATRC

Related Post