Në Kosovë, në aspektin e politikbërjes dhe formulimit të strategjive, parashihet që të bëhet një shfrytëzim maksimal i resurseve natyrore për prodhim të energjisë elektrike në mënyrë që të përafrohen caqet prej 25% nga burimet e ripërtëritshme në kuadër të Komunitetit të Traktatit të Energjisë. Sipas Strategjisë së Energjisë për Kosovën, deri në vitin 2020 parashihet që të jenë të instaluara kapacitete gjeneruese prej 240 MW nga burimet hidrike.
Kosova nuk është vend me potencial të madh hidroenergjetik kryesisht për shkaqe gjeografike që ndërlidhen me aspektin topografik – relievi është kryesisht në trajtë të rrafshnaltës i karakterizuar me terren relativisht të butë dhe reshje të pakta shiu. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kosova është vendi me i varfër sa i përket burimeve ujore në dispozicion – 1,600 metër kub ujë për kokë banori. Shqipëria ka në disponzicion rreth 13,000 metër kub ujë për kokë banori, ndërsa Maqedonia e Veriut rreth 3,000.
Shumica e hidrocentraleve të vogla ekzistuese dhe ato të planifikuara gjenden në brendi të zonave me rëndësi të veçantë natyrore si parqe kombëtare, rezervate strikte të natyrës, zona të veçanta të mbrojtura, dhe zona me veçori të shumta relikte dhe endemike të florës, vegjetacionit, faunës, habitateve natyrore, bimore dhe shtazore. Kjo paraqet rrezik të madh që këto zona të dëmtohen përgjithmonë dhe të degradohen peisazhet natyrore e burimet ujore të vendit, sikurse në rastin e ndërtimeve të hidrocentraleve në Gryken e Deçanit.
Shqetësuese janë rastet e caktuara ku për t’u favorizuar projekte specifike formohet këshill ndërministror që ka fuqinë ekzekutive që të ndryshojë zona të caktuara prej Zonës 1 në Zonë 3. Në Zonën 3 lejohet ndërtimi i hidrocentraleve ndërsa në Zonën 1 dhe 2 kjo nuk është e mundur. Një mundësi e tillë e ndërrimit është e padrejtë dhe duhet të rregullohet në mënyrë ligjore. Kompetencë e tillë e përcaktimit të zonave dhe hartave zonale e zonimit duhet t’i takojë ekskluzivisht eskpertëve dhe të mos ketë politizim e ndikime politike në të e aq më tepër nuk duhet asesi të lejohet ndërtimi i hidrocentraleve në parqe kombëtare.
Ky dokument ka për qëllim të analizojë situatën e përgjithshme të sektorit të hidroenergjisë në Kosovë, potencialin real të këtyre projekteve, ndikimet, dhe problemet kryesore. Në pika të shkurtra përmenden hidrocentralet ekzistuese në vend, ato që planifikohen të ndërtohen, problemet dhe ndikimi real i këtyre hidrocentraleve në mjedis si dhe shqetësimet që ndërlidhen me këto ndërtime nga komunitetet lokale.
Ky hulumtim konstaton se hidrocentralet kanë kryesisht probleme dhe ndikime negative për shkaqe (1) sociale [konflikte shoqërore dhe protesta], (2) politike [konflikte interesi, shtrembërim i vullnetit politik, subvencionimi i hidrocentraleve], (3) ekonomike [ujitja dhe uji i pijes, turizmi, balanci energjetik, dhe degradimi i tokave bujqësore], dhe (4) mjedisore [shkatërrimi dhe modifikimi i habitateve natyrore, eriozioni i tokës, dëmtimi i pyjeve dhe natyrës, tharja e lumenjëve, ndotja e ujit për shkak të punimeve, dhe ndotjea e mjedisit gjatë mirëmbajtjes].
Për të lexuar më shumë, klikoni KËTU.