INDEP bashkë me Komisionin parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media prezantojnë gjetjet e punimit: “Liria e shprehjes dhe ushtrimit të profesionit të gazetarit në Kosovë”

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në bashkëpunim me Komisionin parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media organizuan tryezën me titull: “Korniza ligjore që determinon lirinë e shprehjes në Kosovë“.

Në tryezë u prezantua punimi “Liria e shprehjes dhe ushtrimit të profesionit të gazetarit në Kosovë“ i cili është përgatitur nga INDEP. Punimi trajtoi kornizën kushtetuese dhe ligjore që rregullon mediat në Kosovë duke përdorur qasjen krahasuese me vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Evropian. Në këtë tryezë pjesëmarrës ishin deputetë anëtar të Komisionit, gazetarë, përfaqësues të OJQ-ve, të institucionit të Avokatit të Popullit, etj.

Në fjalën përshëndetëse, kryetari i komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, Z. Zenun Pajaziti tha që kjo tryezë diskutuese do t’i kontribuojë identifikimit të mangësive eventuale që kanë nevojë të plotësohen në legjislacionin ekzistues. Ndër të tjera, Z. Pajaziti tha që “gazetarët janë komunitet specifik me të cilët duhet të punojmë ngushtë për krijimin e një ambienti më të mirë për ta dhe profesionin e tyre”. Deputeti Sadri Ferati u shpreh që “është i kënaqur që në bazë të gjetjeve të punimit, Komisioni nuk do të ketë shumë punë në hartimin e legjislacionit pasi në letër kemi legjislacion të mirë“. Nga ana tjetër, të pranishmit u shprehën se megjithëse ekziston baza ligjore, zbatimi i saj mbetet në nivel jo të kënaqshëm.

Deputetja Shqipe Pantina tha që “tek ne, problemi i jo-profesionalizmit tek mediumet po bëhet fenomen”, dhe potencoi rëndësinë e mbajtjes së neutralitetit të institucioneve karshi zgjidhjes së këtij problemi.

Një temë tjetër që zuri vend në diskutim ishte edhe shpifja si fenomen shqetësues. Të pranishmit u pajtuan që kategorizimi i saj në kodin civil i ndihmon gazetarët që të mos jenë objekte të përndjekjes duke u bazuar në dispozita penale. Megjithatë, fuqizimi i mekanizmave vetërregullues në atë mënyrë që vendimet e tyre të jenë të detyrueshme u pa si i domosdoshëm. Në tryezë po ashtu u theksua problemi me sistemin gjyqësor si një nga kryesorët që e dekurajon zhvillimin profesional të medias.

Në fund, u rekomandua që institucionet të shikojnë mundësinë për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Komisionin e Pavarur të Medieve (KPM), në atë mënyrë që zgjedhja e anëtarëve të bordit të mundësojë funksionalitet të bordit të KPM-së. Gjithashtu, u rekomandua që të hapet debati në lidhje me atë se a kanë nevojë mediat për një ligj të veçantë për to si dhe të bëhet angazhimi i institucioneve për promovimin e politikave mbështetëse rreth fuqizimit të mediave si biznese.

Punimi diskutues i prezantuar ishte pjesë e projektit për fuqizimin e mediave në Kosovë që financohet nga Free Press Unlimited dhe që implementohet nga INDEP, Kosovo 2.0, Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese/COHU dhe Urban FM. Konkluzionet dhe rekomandimet nga kjo tryezë do të inkorporohen në punimin final të përgatitur nga INDEP.