Të dielen, 12 janar 2014, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në kuadër të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), bëri prezantimin e studimit “Tarifat nxitëse dhe rëndësia e tyre për investime në Kosovë”.
Gjetja kryesore e kësaj analize përkon me atë se Kosova nuk është vend i përshtatshëm për tërheqjen e investimeve të huaja direkte në sektorin e energjisë së ripërtritshme, si pasojë e moskompletimit të skemës së tarifave nxitëse dhe procedurave tejet të komplikuara për të investuar në këtë sektor. Studimi përfshin një analizë të politikave publike të sektorit të energjisë; analizë krahasimore të skemës së tarifave nxitëse mes Kosovës, rajonit dhe vendeve të BE-së, si dhe vë në pah hapat që Kosova duhet t’i marrë në promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
Për Kosovën, si nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, sasia e energjisë nga burimet e ripërtërishme në konsumin përfundimtar bruto të energjisë deri në vitin 2020 duhet të jetë 25%. Për të arritur këtë cak, si dhe për shkak të efikasitetit të tarifave nxitëse në stimulimin dhe sigurimin e prodhimit të energjisë së pastër, implementimi i tyre është tejet i rëndësishëm. Andaj, INDEP në këtë analizë, ka analizuar rëndësinë e politikës së tarifave nxitëse si një metodë tejet e mirë për ta nxitur zhvillimin e shpejtë të burimeve të ripërtëritshme, përmes së cilës përfitojnë tarifë-paguesit, zhvilluesit e energjisë së pastër si dhe shoqëria në përgjithësi. Gjithashtu, janë analizuar llojet e tarifave nxitëse si dhe lartësia e tyre në krahasim me vendet e rajonit.
Tarifat nxitëse në Kosovë janë të përcaktuara për energjinë nga uji (63.3 €/MWh), era (85.0 €/MWh dhe biomasa (71.3 €/MWh). Tarifat nxitëse (të caktuara), edhe pse dallojnë me ato të vendeve të rajonit, janë relativisht të kënaqshme. Sidoqoftë, tarifat e energjisë solare dhe energjisë gjeotermale nuk janë të përcaktuara ende. Nga krahasimi i Kosovës me vendet tjera, vërehen dallime në kohëzgjatjen e tarifave nxitëse. Kosova aplikon tarifa me kohëzgjatjen më të ulët të tarifave nxitëse në rajon dhe me vendet e BE-së, ngase tarifat nxitëse në Kosovë janë të përcaktuara vetëm për 10 vite. Kohëzgjatja e kontratave vlerësohet të jetë shumë e vogël dhe nuk u garanton investitorëve se kostoja e investimit të tyre do të mbështetet mjaftueshëm nga ana e institucioneve të shtetit.
Në studim janë përfshirë edhe një sërë rekomandimesh për institucionet kryesore të vendit, të cilat janë konsideruar të domosdoshme për ndryshimin e gjendjes aktuale. Rekomandimet janë hartuar duke pasur parasysh nevojat aktuale të Kosovës dhe mundësitë dhe kapacitetet institucionale për realizimin e tyre. Në këtë linjë, rekomandimet e këtij punimi synojnë të jenë bazë e ndryshimit të politikave aktuale në drejtim të nxitjes së investimeve në fushën e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.