Pasi Këshilli i Etikës nxori Udhëzuesin për standardet dhe parimet etike të Universitetit të Prishtinës në lidhje me shmangien e nepotizmit dhe parandalimin e konfliktit të interest në procedurat e zgjedhjes së personelit akademik; Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD) përmes një letre drejtuar Ministrit të Arsimit dhe Këshillit Drejtuesit të UP-së, u ka bërë thirrje ta kenë parasysh këtë Udhëzues dhe t’i zbatojnë standardet dhe parimet etike që janë listuar në mënyrë që të luftohet fenomeni i nepotizmit dhe të parandalohet konflikti i interest në rekrutimin e stafit akademik të UP-së. Letra i është drejtuar Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, dhe kryesueses së Këshillit Drejtues të UP-së, Ardiana Bunjaku.
Fillimisht, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) së bashku me Institutin të Kosovës për Drejtësi (IKD) muajin e kaluar i ka drejtuar Këshillit të Etikës të UP-së një kërkesë për sqarimin e standardeve që UP përcakton në lidhje me zbatimin e konkursit publik. Letra me numër portokolli Nr. 1/839 “Kërkese në lidhje përcaktimin e standardeve të transparencës dhe shmangies së nepotizmit në Universitetin e Prishtinës në konkursin për zgjedhjen e personelit akademik për pozita të reja” u bazua në shqetësimet e vazhdueshme në lidhje me fenomenin e nepotizmin në zgjedhjen e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës. Kjo kërkesë po ashtu u bazua në Opinionin e Avokatit të Popullit Nr.481/2018 të datës 16/03/18 në lidhje me Parandalimin e nepotizmit në Universitetin e Prishtinës, drejtuar z. Marjan Dema, Rektor i Universitetit të Prishtinës dhe z. Shyqyri Bytyqi, Ministër i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Mbi këto fakte dhe nga interpretimi i bazës ligjore, Statutit, Kodit të Etikës, Rregullores për zgjedhjen e personelit akademik në UP, iu drejtuam organeve të Universitetit, në veçanti Këshillit të Etikës me qëllim që të bëjnë publike të masat dhe standardet e shkruara në lidhje me parandalimin e nepotizmit në procesin e punësimit të personelit akademik.
Këshilli i Etikës në përgjigje të Opinionit të Avokatit të Popullit dhe kërkesës së Instituteve tona, në mbledhjen e mbajtur më datë 2.05.2018 ka nxjerrë Udhëzuesin për standardet dhe parimet etike të Universitetit të Prishtinës në lidhje me shmangien e nepotizmit dhe parandalimin e konfliktit të interesit në procedurat e zgjedhjes së stafit akademik për pozitat e reja, sipas institucionit të konkursit publik. Udhëzuesi me numër protokollar 1/210 i hartuar nga Këshilli i Etikës i merr parasysh rekomandimet e Opinionit të Avokatit të Popullit dhe si i tillë paraqet në mënyrë të përmbledhur disa nga masat dhe standardet kryesore të etikës që Universiteti i Prishtinës i zbaton me qëllim të parandalimit të nepotizmit në lidhje me punësimin e personelit akademik në pozita të reja, përkatësisht punësimit për herë të parë.