Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në kuadër të programit Bashkëpunimi Rajonal, më 29 tetor, 2014 në Tiranë së bashku me Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (IShSN) nga Tirana organizoi tryezën e parë të rrumbullakët “Sfidat dhe potenciali i marrëdhënieve ekonomike midis Shqipërisë dhe Kosovës”.
Kjo tryezë organizohet në kuadër të projektit “Shqipëria dhe Kosova në kërkim të së ardhmes së përbashkët”, i cili mbështetet nga Friedrich Ebert Stiftung, zyrat në Prishtinë dhe Tiranë. Tryeza e radhës do të organizohet në Prishtinë në fund të vitit.
Në kuadër të diskutimeve janë adresuar rastet e vazhdueshme të ngërçeve tregtare në mes të dy vendeve siç është rasti i fundit me miellin e eksportuar nga Kosova në Shqipëri i cili është bllokuar nga autoritetet shqiptare, apo edhe rastet e më hershme, si rasti i barnave, patateve, qumështit, etj. Në këtë pikë, Learta Hollaj nga INDEP, theksoi që është e nevojshme që probleme të tilla të mos lejohen të përsëriten në të ardhmen pasi që këto pengesa po manipulohen përfundimisht nga mediat në të dy vendet, gjë që nuk i sjellë dobi as njërës dhe as tjetrës palë dhe që si përfundim shkon në dëm të bizneseve në të dy anët e kufirit.
Diskutimet dhe të gjeturat nga këto tryeza do të përmblidhen në një punim i cili do të analizoj marrëdhëniet ekonomike në mes të dy vendeve. Gjithashtu ky punim dhe do të identifikoj alternativat më të përshtatshme që do të kontribuonin në përmirësimin e këtyre marrëdhënieve si dhe zhvillim më të madh të shkëmbimeve tregtare në nivel Kosovë–Shqipëri.
Në tryezë ishin prezent ish Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Bashkim Rama, i ngarkuari me punë i Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë z. Ramiz Lladrovci, ekspertë të lartë në fushën e ekonomisë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.