Zgjedhja e dy gjyqtareve në Gjykatën Kushtetuese është e paligjshme dhe politikisht e pandershme. Partitë në pushtet kanë zgjedhur që në bazë të marrëveshjes së tyre të koalicionit, të imponojnë ndarjen e pozitave të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese sipas raportit 50-50. Institucioni më i rëndësishëm i së drejtës në vend po politizohet me figura të afërta me partitë politike në pushtet. Nuk mund të ketë pavarësi në funksionimin e kësaj gjykate, nëse pavarësia është lënduar qysh me zgjedhjen e anëtarëve të saj.
Gjyqtarët duhet të jenë të pavarur në ushtrimin e detyrës së tyre dhe nuk mund të jenë as të afërt të partive politike dhe as ish kandidat të tyre. Profesionalizmi dhe pavarësia e tyre është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Ligjin Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë (9) gjyqtarë, të cilët do të jenë juristë të shquar dhe personalitete me moralin më të lartë, jo me më pak se dhjetë (10) vjet përvojë profesionale përkatëse. Kualifikimet e tjera përkatëse rregullohen me ligj. Parimet e barazisë gjinore do të respektohen.
Ne, mirëpresim faktin që janë konsideruar kandidate gra në këto dy pozita me qëllim të respektimit të parimit të barazisë gjinore, por kjo nuk mund të amnistojë paanshmërinë partiake. Ligji Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese garanton pavarësinë e gjyqtarëve të zgjedhur në Gjykatën Kushtetuese dhe përjashton zgjedhjen e anëtarëve të partive politike. Mbi të gjitha, cenohet integriteti moral i tyre nëse ata janë të afërt të partive politike apo kanë qenë kandidat në listat e këtyre partive. Vendimet e fundit të Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur znj. Gresa Cakaj-Nimani dhe znj. Selvete Gërxhaliu në këtë institucion është pikërisht në vazhdën e politizimit të institucioneve që ligjërisht janë të pavarura në përbërjen, funksionin e tyre dhe menaxhimin e buxhetit të tyre.
Znj. Selvete Gërxhaliu-Krasniqi ka zhvilluar karrierë politike si politikane dhe atë si kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputete në vitin 2014 ku kishte marrë 2440 vota. Ne nuk mund të presim që një ish kandidate e partisë të jetë e pavarur në punën e saj. Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese në demokracinë tonë të re është institucioni që përballet me një numër të madh lëndësh me pasoja jo vetëm juridike por edhe politike.
Kandidatja tjetër, znj. Gresa Cakaj-Nimani ka qenë në procedurën e kaluar si e propozuar për seancë dhe ka marrë vetëm 49 vota. Tani ajo është zgjedhur me 58 vota dhe ne vlerësojmë që një formë e tillë e dërgimit të emrave të njëjtë për votim në seancën e Kuvendit përbën një formë presioni ndaj deputetëve. Nuk mundet që për të njëjtën pozitë, i njëjti person të zgjidhet nga po të njëjtit deputet dhe kjo të mos nënkuptojë që bëhet fjalë për pazare politike të partnerëve të koalicionit.
Praktika e zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese mbi baza partiake duhet të ndalet sepse kjo cenon në mënyrë serioze pavarësinë e gjykatës dhe thellon edhe më tej ndarjet në këtë kohë të krizës politike. Ne i bëjmë apel Presidentes së Kosovës të mos emëroj këta gjyqtar të propozuar nga Kuvendi dhe të kërkojë përsëritjen e procedurës. Mos emërimi i këtyre dy anëtareve nga Presidentja do të shërbej si një shembull pozitiv dhe nismë konstruktive për tejkalimin e ndasive ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë. Brishtësia politike nëpër të cilën po kalon vendi dhe detyrat e vështira të cilat gjenden për interpretim në këtë institucionin më të lartë kushtetues, kërkon besueshmëri të vendimeve që burojnë para së gjithash nga anëtarë të pa ngjyrosur politikisht.