Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) organizoi të mërkurën një tryezë diskutimi rreth ndikimit të thëngjillit në shëndetin e njeriut. Tryeza, e organizuar në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Obiliqit, kishte për qëllim shtjellimin e rreziqeve shëndetësore që pasojnë nga djegia e qymyrit si dhe rëndësia e ambientit për shëndetin e njeriut.
Në tryezë ishin të pranishëm anëtarë të Asamblesë Komunale të Obiliqit dhe pjesëtarë të komunitetit. Pjesëmarrës në panel ishin Nazif Shala, drejtor i Departamentit për Mbrojtje të Mjedisit pranë Komunës së Obiliqit, Carel Brands, Këshilltarë i Bashkëpunimeve për Zhvillim pranë Ambasadës së Mbretërisë Holandeze dhe Nezir Sinani nga INDEP, që njëherit ishte edhe moderator i tryezës.
“Kosova nuk ka zhvilluar mekanizmat e duhur të trajtimit të këtij problemi dhe ka ngecur dukshëm në trajtimin e të njëjtit problem në nivelin e politikë-bërjes,” ka thënë Nezir Sinani, Analist i Lartë në INDEP, duke folur për pasojat shëndetësore të djegies së qymyrit.
Dr. Alan Lockwood, Profesor i Merituar i Neurologjisë dhe Mjekësisë nukleare në Universitetin shtetëror të Buffalo, prezantoi të dhëna nga libri i tij Epidemia e heshtur: thëngjilli dhe kërcënimi i fshehur për shëndetin. Sipas Dr. Lockwood, vetëm në SHBA ka rreth 32 vdekje për TWh energji të prodhuar nga linjiti dhe afro 17679 sëmundje të lehta. Dr. Lockwood, njëkohësisht bashkë-drejtor i Doktorëve për Përgjegjësi Shoqërore (PSR) shpjegoi lidhshmërinë e djegies së thëngjillit me sëmundje të rënda dhe rritjen e vdekshmërisë.
Diskutimi është organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Obiliqit dhe mbështetjen e Fondit të Vëllezërve Rockefeller dhe Ambasadës Holandeze.