INDEP është pjesë e rrjetit rajonal CONSUS për zhvillim të qëndrueshëm

Në një ngjarje të veçantë të organizuar me datë 11 maj 2016, u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit për themelimin e këtij rrjeti. Ky mekanizëm do të bëjë bashkë institucionet e arsimit të lartë, biznese dhe organizata të shoqërisë civile për të kërkuar mënyra inovative për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm në Kosovë dhe Shqipëri.

Për INDEP-in, ky memorandum paraqet një të veçantë në përpjekjet e institutit që përmes programeve të zhvillimit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit rajonal të promovojë mënyrat inovative për avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomiko-social.

Rrjeti i themeluar sot, do të ofrojë një mënyrë të re bashkëpunimi për institucionet e arsimit të lartë, biznese dhe organizata të shoqërisë civile të Kosovës dhe Shqipërisë për të mbështetur dhe promovuar inovacionin drejtë zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. INDEP synon që këtij rrjeti t’ia ofrojë përvojën e vet në pjesën e formësimit të politikave publike përmes ofrimit të zgjidhjeve të bazuara në punime kërkimore.

Kjo ngjarje dhe ky mekanizëm është pjesë e projektit CONSUS (Connecting Science-Society Collaborations for Sustainability Innovations), i cili financohet nga Programi TEMPUS (Erasmus+) i Komisionit Evropian dhe udhëhiqet nga konsorciumi i përbërë nga Universiteti i Gracit në Austri, Universiteti Leuphana në Gjermani, Universiteti BOKU në Vjenë dhe Universiteti Limerick në Irlandë.

Përveç INDEP-it, partnerë të projektit janë edhe Kolegji Universum, Kolegji Riinvest, Universiteti Haxhi Zeka në Pejë, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti Aleksandër Moisiu në Durrës, Universiteti Evropian i Tiranës, Universiteti Polis dhe Qendra për Studime Politike dhe Ndërkombëtare nga Shqipëria.