INDEP është pjesë e ‘South East Europe Electricity Roadmap’

Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP po merr pjesë në punëtorinë e parë të nismës South East Europe Electricity Roadmap – (SEERmap), projekt ky që mëton të definojë skenaret e energjisë elektrike për vendet e evropës juglindore me fokus të veçantë në politikat e dekarbonizimit. Nëntë institute kërkimore janë ftuar nga nëntë vende të rajonit me qëllim që të kontribuojnë në zhvillimin e skenarëve të energjisë elektrike deri në vitin 2050.

 

INDEP, si njëri ndër partnerët rajonal, po merr pjesë në këtë ngjarje që është e para në serinë e takimeve për të definuar elementet që do të zhvillojnë modelet projektuese. Learta Hollaj, menaxhere operacionale dhe hulumtuese e lartë dhe Dardan Abazi, hulumtues në INDEP, prezantuan situatën aktuale dhe sfidat në sektorin e energjisë elektike në Kosovë. Ata folën për rolin që INDEP dhe organizatat e shoqërisë civile po luajnë në shtytjen përpara të politikave që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmbushjen e nevojave për energji me sa më pak kosto ambientale dhe sociale.

 

Në këtë punëtori po marrin pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe të Agjencisë Kosovare për Mbrojtjen e Mjedisit. Kjo punëtori dhe projekti në përgjithësi po realizohen si pjesë e programeve të INDEP për zhvillim të qëndrueshëm dhe bashkëpunim rajonal duke vazhduar kështu përpjekjet e INDEP për institucionalizimin e nevojës për planifikim afatgjatë dhe të qendrueshëm në fushën e energjisë elektrike.