INDEP-i mbajti virtualisht tryezën “Marrëveshja e Gjelbër për Ballkanin dhe Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë”

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), ka mbajtur sot, më datë 18 nëntor 2020, tryezën “Marrëveshja e Gjelbër për Ballkanin dhe Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë”, nën moderimin e Dardan Abazi, Hulumtues i Lartë dhe Drejtor i Programit në INDEP dhe me panelistët Luan Morina, Udhëheqës i Departamentit të Energjisë në MEA dhe Fisnik Osmanin, Këshilltar i Kryeministrit të Kosovës. Për shkak të pandemisë COVID-19, tryeza është mbajtur pa praninë e audiencës dhe është transmetuar virtualisht në faqen e INDEP-it në Facebook.
Z. Osmani tha se Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë do të jetë në frymën e Marrëveshjes së Gjelbër dhe se Kosova është zotuar që të shkojë tutje në implementin të kësaj marrëveshjeje. Ndërsa, duke konsideruar se Kosova po drafton Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë, pas përfundimit të këtij plani, Kosova do ta ketë të qartë se nga do të levizë, përfundoi ai. Në lidhje me çështjen e Termocentralit “Kosova e Re”, z. Osmani konfirmoi se Qeveria e Kosovës po e trajton këtë proces përmes mekanizmave ligjorë dhe se Contour Global është tërhequr nga ky projekt. Për fund, z. Osmani u shpreh i gatshëm që në emër të Qeverisë të jetë pjesë aktive e zhvillimeve në energji dhe i ftoi të gjitha palët të bëhen pjesë e proceseve vendimmarrëse në energji.
Nga ana tjetër, z. Morina tha se Kosova është në fazën e dhjetë vjeçarit të dytë të energjisë dhe momentumi në të cilin Kosova ndodhet ofron mundësi për ridrejtim të Kosovës se cilën rrugë duhet të zgjedhë. Tash, fokusi duhet të jetë në arritjen e caqeve për burimet solare dhe ato hidrike. Ndërsa, sa i përket nënshkrimit të Samitit të Sofjes, ai tha se Kosova po punon gjithashtu në Strategjinë e Energjisë paralelisht me Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë. Të dy këto dokumente, me gjasë, do të përfshijnë caqe të reja, por se kjo mbetet të shihet dhe do të vendoset bazuar në rezultatet e studimeve që do të vijnë. Për vitin 2050, synimi do të jetë që të punohet në dekarbonizim. Ndërsa, Strategjia e Re e Energjisë, sipas z. Morina, do të dërgohet në Qeveri në kuartalin e dytë të vitit 2021, ndërsa në konsultim publik do të dërgohet dikur në mars-prill 2021.
Në lidhje me BRE-të, fokusi do të jetë te energjia solare dhe ajo e erës dhe se në mes të vitit 2021, do të jetë e gatshme skema e ankandeve për BRE-të, tha z. Morina.
Ky aktivitet u implementua në kuadër të projektit “Promovimi i Efiçiencës së Energjisë dhe Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë në Kosovë”, financuar nga GIZ Kosova, në emër të Qeverisë Gjermane, implementuar nga INDEP dhe në kuadër të programit për zhvillim të qëndrueshëm të INDEP.