Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), ka mbajtur më datë 24 nëntor 2020, tryezën “Politikat Fiskale dhe Agjenda e Gjelbër”, nën moderimin e Dardan Abazi, Hulumtues i Lartë dhe Drejtor i Programit në INDEP dhe me panelistin Trim Tërnava, Ekspert i Energjisë së Ripërtëritshme, e cila u transmetua virtualisht në faqen e INDEP, e qasshme këtu:
Z. Abazi elaboroi zhvillimet në fushën e energjisë, me theks energjinë solare. Me këtë rast, z. Abazi paralajmëroi edhe një punim nga INDEP lidhur me uljen e TVSH-së për energjinë solare, i cili do të publikohet. Sipas z. Abazi, në lidhje me politikat fiskale, në dritën e Samitit të Sofjes, është më se e nevojshme një set i ri i politikave, të cilat do të duhet të prezantohen për të ndihmuar funksionimin dhe zbatimin e zotimeve të marra nga ky Samit.
Nga ana tjetër, z. Tërnava, mes tjerash tha se Kosova nuk është në pikën zero sa i përket energjisë solare, pavarësisht faktit që ende nuk ka politika fiskale lehtësuese të miratuara por vetëm rregullativa. Ai shtoi se nëse energjia solare hyn në Pakon e Rimëkëmbjes të Qeverisë, shumë kompani dhe qytetarë do të përfitonin. Për vitin 2030, z. Tërnava parashikoi se energjia solare do të kryesojë për nga kapaciteti i instaluar dhe se mundësia më e mirë e Kosovës për dekarbozim për 2030-tën është energjia solare, kjo sepse Kosova ka 30% më shumë rrezatim se Gjermania, vendi lider për solare.
Ky aktivitet implementohet në kuadër të projektit “Promovimi i Efiçiencës së Energjisë dhe Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë në Kosovë” i mbështetur nga Qeveria Gjermane përmes Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, Projekti i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. Pikëpamjet e
paraqiture në këtë tryezë nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e GIZ-së.