INDEP mban takim me qytetarët e Obiliqit

Instituti për Politika Zhvillimore në kuadër të programit për qeverisje demokratike dhe projektit “INVESTOMETRI – Më shumë transparencë dhe llogaridhënie ndaj shpenzimeve publikë për investime kapitale në nivelin lokal”, mbajti takim me qytetarët e komunës së Obiliqit. Takimi kishte për qëllim informimin e qytetarëve me investimet kapitale të komunës për vitin 2017 dhe mundësive të reja që sjellë platforma investometri.com për t’u informuar rreth investimeve kapitale dhe për t’u bërë pjesë e debatit.

Në diskutim morën pjesë Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjenca z. Burim Gërguri, Drejtoresha për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim znj. Zarife Behluli, përfaqësues të fshatrave dhe qytetarë të tjerë të Obiliqit. Në fjalën e tij hyrëse z. Burim Gërguri shprehu falënderimin për punën që INDEP ka bërë në lansimin e platformës dhe promovimin e transparencës dhe informimit për investime kapitale dhe njëherit informoi të pranishmit me planet dhe projektet e komunës për vitin 2017. “Ne jemi të hapur jo vetëm për të informuar qytetarët por edhe për t’i bërë ata pjesë të vendimmarrjes duke mbajtur takime të shpeshta edhe në lokalitete më të vogla ku jetojnë ata”, tha ndër të tjera z. Gërguri.

Përfaqësues të INDEP prezantuan platformën investometri.com duke inkurajuar qytetarët të përdorin përparësitë të sjellë platforma në mënyrë që të informohen më shumë rreth investimeve kapitale në komunitetin e tyre dhe të jenë pjesë e presionit pozitiv ndaj autoriteteve komunale. Ishte konstatim i përbashkët që INVESTOMETRI ndikon në shtimin e transparencës në qeverisjen lokale dhe në nxitjen e qytetarisë aktive si vlera demokratike.