Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) me mbështetje të Komisionit Evropian shpërndan grante për investime në fushën e efiçiencës së energjisë. Këto grante shpërndahen me qëllim të krijimit të incentivave për biznese për të investuar në masat e efiçiencës së energjisë dhe ngritjes së vetëdijës mbi përfitimet që kanë bizneset nga këto investime. Ndarja e granteve bëhet në kuadër të projektit ‘Efiçienca e Energjisë për Zhvillim,’ projekt ky i implementuar nga INDEP. Objektivi i përgjithshëm i projektit është ofrimi i mbështetjes për zbatimin e masave për efiçiencë të energjisë dhe objektivave të rëna dakord në planin komunal për efiçiencë të energjisë dhe objektivave të caktuara nga Komuniteti i Energjisë. Qëllim i këtij projekti është rritja e ndërgjegjësimit, ngritja e kapaciteteteve të institucioneve dhe organizatave lokale dhe përkrahja e sektorit privat drejt gjenerimit të vendeve të reja të punës (green jobs) në nivel lokal.
Grantet mbulojnë 80% të investimit ndërsa nga biznesi kërkohet pjesëmarrje në financim me 20% të shumës totale. Granti do të përdoret vetëm për investim në masa të efiçiencës së energjisë. Shuma minimale e granteve është 500 EUR përderisa shuma maksimale është 2,500 EUR. Të drejtë aplikimi kanë të gjitha ndërmarrjet mikro, të vogla ose të mesme që operojnë në njërën nga këto 5 komuna: Prishtinë, Obiliq, Fushë Kosovë, Lipjan ose Podujevë.
Formulari dhe udhëzuesi për aplikim mund të shkarkohen KËTU ose mund të merren në zyrën e Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) në adresën: Fehmi Agani, 50 A/4 në Prishtinë. Formulari për aplikim dhe dokumentet e bashkangjitura duhet të dorëzohen në zyrën e INDEP në Prishtinë deri me datë 10 korrik 2015, ora 16:00.