INDEP në bashkëpunim me UNESCO-n lanson projektin “Edukimi mbi median dhe informacionin”

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) e lansoi sot projektin “Edukimi mbi Median dhe Informacionin në Kosovë”, i cili po implementohet në bashkëpunim me UNESCO-n. Me këtë rast, u mbajt edhe një tryezë diskutuese me po të njëjtën temë, ku morën pjesë Zëvendësministri i MASHT-it, Z. Arbër Geci; ligjëruesja e lëndës së Edukimit Medial në degën e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Lindita Tahiri dhe Besa Luci, kryeredaktore në Kosovo 2.0.

Burim Ejupi, drejtori ekzekutiv i INDEP-it, e lansoi projektin në fjalën e tij hyrëse. “Që nga janari i këtij viti ka filluar implementimi i projektit mbi Edukimin mbi mediat dhe informacionin. Ky projekt është kontraktuar nga UNESCO dhe po implementohet për herë të parë në Kosovë nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP). Pas një pauze dy vjeçare, INDEP rikthen fokusin në fushën e mediave duke kaluar tashmë në një nivel më të lartë përfshirjeje.” tha Z. Ejupi.

Sipas Z. Ejupi, Qëllimi i këtij projekti është ta rrisë kërkesën për kualitetin e medias dhe informacionit në Kosovë përmes prezantimit dhe integrimit të Edukimit mbi Median dhe Informacionin në politikat publike dhe ta shtrojë rrugën për draftimin e një kornize të duhur strategjike për EMI . Ky qëllim synohet të arrihet përmes 1) Vlerësimit të gjendjes ekzistuese të Edukimit mbi median dhe informacionin në Kosovë 2) Promovimit të mekanizmave strategjikë dhe politikë për EMI si mjet për rritjen e kualitetit të mediave dhe informacionit në vend dhe përfshirjen e saj në politikat qeveritare 3) Avokimit për EMI dhe vetëdijësimi për rëndësinë e saj në ndërtimin e besimit në media.

Zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Z. Arbër Geci, e vlerësoi iniciativën e INDEP-it me UNESCO-n për t’u marrë me çështjen e edukimit medial. Ai tha se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, është e angazhuar për ta gjetur praktikën më të mirë të integrimit të lëndës së Edukimit Medial në kurrikulën e arsimit në Kosovë. Zëvendësministri Geci tha se është shumë e nevojshme të punohet me audiencën dhe sidomos me rininë që ta marrin informacionin me rezerva. “Sot jemi në një epokë ku luftohet për shpejtësinë e informacionit dhe duke qenë se jemi të bombarduar nga informacionet, shpeshherë e humbasim fokusin nga gjërat e rëndësishme. Sot, të gjithë e dimë se për t’u informuar drejt, duhet t’i shikojmë disa media për të njëjtin lajm dhe ta gjejmë të vërtetën.” tha Z. Geci.

Ndërkaq, Lindita Tahiri, ligjëruese e lëndës “Edukimi medial” në degën e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës tha se edukimi për media duhet të jetë më frymë ndërkurrikulare dhe jo vetëm një lëndë e veçantë. Sipas Znj. Tahiri, mësimdhënësit e secilës lëndë duhet të jenë të përgaditur në këtë drejtim. “Koncepti i edukimit për media ka pikënisje aftësinë tradicionale të shkrim-leximit, por kjo nevojë është tejkaluar nga nevoja e individit të sotëm për të pasur shkathtësi të shumta dhe studiuesit flasin për multi-alfabetizëm, pra për nevojën e shkathtësive të qytetarit të sotëm për t’i përceptuar në mënyrë kritike mesazhet që na rrethojnë. Pra, qytetari duhet të jetë i aftë t’i kuptojë, interpretojë por edhe t’i prodhojë mesazhet në mënyrë të duhur pasi secili nga ne me mediet e reja është njëkohësisht edhe prodhues.” tha Znj. Tahiri. Po ashtu, ajo tha se duhet me shumë kujdes të punohet në metodologjinë e mësimdhënies dhe në tekstet shkollore kundrejt grupmoshave të caktuara.

Besa Luci, kryeredaktore në Kosovo 2.0, tha se shpeshherë haset mendimi se mediat e pasqyrojnë realitetin dhe se këtu qëndron problemi në relacionin e qytetarëve me mediat, sepse për të pasur një edukim medial, qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm që mediat e konstruktojnë realitetin përmes zgjedhjeve që i bëjnë. Kur të arrihet ky nivel vetëdijësimi, sipas Znj. Luci, qytetarët do të jenë më kritikë ndaj mesazheve që i marrin. Megjithatë, sipas saj, më nuk është e rëndësishme vetëm të qenit kritik ndaj mesazhit që merret por edhe asaj se si marrim ne pjesë në prodhimin e mesazhit. “Me zhvillimin e madh teknologjik, edhe koncepti i edukimit mbi media po zgjerohet në edukim digjital dhe edukim mbi informacionin. Mendoj se kur flasim për median, duhet t’i kemi parasysh edhe këto.” tha Znj. Luci.

Pjesëmarrësit e tjerë në këtë diskutim ishin përfaqësues të OSBE-s, Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, studentë të gazetarisë dhe të interesuar të tjerë, të cilët kontribuan në këtë diskutim përmes komenteve dhe pyetjeve të tyre.