INDEP partner i Forumit Ekonomik në Krynica të Polonisë

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) po merr pjesë në Forumin e XXIX Ekonomik që po mbahet në Krynica të Polonisë. Kjo konferencë është ngjarje vjetore e cila mbledhë afro 4,500 pjesëmarrës, duke përfshirë këtu lider politik, akter ekonomik dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga 60 vende të botës.

Drejtori Ekzekutiv i INDEP, z. Burim Ejupi, ishte folës në dy nga panelet më të rëndësishme të kësaj ngjarje. Në panelin e parë me temë, “Qytete të qëndrueshme = E ardhme e qëndrueshme”, z. Ejupi foli për avokimin për politika të zhvillimit të qëndrueshëm me theks të veçantë në politikat e planifikimit urban, transportit dhe luftimit të ndotjes së ajrit.

Në panelin e dytë, “Politikat Moderne mbi Klimën dhe Vetë-Mjaftueshmëria e Energjisë në Vendet e Rajonit”, z. Ejupi foli për rolin e shoqërisë civile në Kosovë në kundërshtimin e politikave të së kaluarës dhe avancimin e zhvillimit të sektorit energjetik duke promovuar energjinë e ripërtëritshme, efiçiencën dhe uljen e emetimeve të dëmshme për mjedisin dhe klimën.

Pjesëmarrja e z. Ejupi në këtë konferencë ishte pjesë e aktiviteteve të INDEP në kuadër të programeve për zhvillim të qëndrueshëm dhe bashkëpunim rajonal.