Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit ‘Qytetarë të informuar, monitorim i pavarur dhe koordinim ndër-institucional për politika mjedisore të bazuara në të dhëna në Kosovë‘, ka përfunduar me sukses ciklin e punëtorive të parapara, gjithsej 7. Punëtoritë janë mbajtur në Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj, Prizren dhe Gjilan. Në këto punëtori të ftuar kanë qenë përfaqësues të organizatave joqeveritare që vijnë nga këto rajone dhe qytetarë aktivistë.
Qëllimi i këtyre punëtorive ka qenë nxitja e aktivizmit për identifikimin e problemeve të ndryshme mjedisore që i preokupojnë qytetarët e këtyre rajoneve. Përpos kësaj, punëtoritë kanë ngërthyer edhe diskutime me pjesëmarrësit rreth zgjidhjeve të mundshme për këto probleme mjedisore, rreth mënyrave praktike individuale dhe kolektive se si secili mund të kontribuojmë në krijimin e një mjedisi sa më të qëndrueshëm dhe përgjithësisht ka nxitur dialog rreth çështjeve mjedisore në Kosovë.
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’ financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).