Gjatë fundjavës që lamë pas, INDEP mbajti modulin e katërt dhe të fundit të ‘Shkollës Kosovare për Vajzat që Synojnë Shërbimin Civil’ i cili diskutoi gratë në diplomaci. Moduli u hap nga Ish-Presidentja Atifete Jahjaga, e cila prezantoi në detaje rrugëtimin e saj në karrierë që nga fillet si zyrtare ligjore, në emërimin e saj si majore në Policinë e Republikës së Kosovës, dhe së fundmi pranimin e detyrës së kryetare shteti. Në pjesën e fundit të prezantimit, Presidente Jahjaga informoi pjesëmarrëset edhe mbi punën që bën pas përfundimit të mandatit. Prezantimi i dytë i ditës së parë u mbajt nga znj. Alma Lama, ish-ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali. Znj. Lama prezantoi mbi gratë në diplomaci në përgjithësi. Më pastaj ajo u koncentrua në tregimin e storjes së saj dhe eksperiencës personale në Itali, sukseset si fituese e çmimit dedikuar ambasadorëve që janë promotor të fortë të barazisë gjinore dhe sfidat që hasi gjatë mandatit të saj.
Ndërkaq, në ditën e dytë pjesëmarrëset u njohën nga afër me znj. Vjosa Dobruna, ish-ambasadore e Republikës së Kosovës në Holandë. Znj. Dobruna prezantoi shifrat e fundit mbi përfaqësimin e grave në diplomaci në botë dhe Kosovë. Ajo vazhdoi me prezantimin e arsimimit të saj dhe eksperiencës në Holandë duke vënë në fokus rëndësinë e rrjetëzimit mes ambasadorëve, por edhe grave në veçanti. Ligjërata e fundit u mbajt nga znj. Shenaj Shala e cila prezantoi mbi “Etikën profesionale & imazhin personal” duke e gërshetuar me eksperiencën e saj si përkthyese dhe së fundmi si eksperte dhe trajnere e protokollit dhe ndërtimit të imazhit personal.
Ky projekt u mbështet nga Programi Angazhimi për Barazi- E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe i implementuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.